Zbulohet lokali me lojëra fati në Shkodër, një i arrestuar dhe dy në kërkim

11:34 | 26 Mars 2026
Q L

Policia e Shkodrës ka zbuluar një lokal në Fushë-Arrëz ku zhvillohej veprimtari e paligjshme e lojërave të fatit, duke arrestuar në flagrancë një 30-vjeçar dhe shpallur në kërkim dy persona të tjerë, të dyshuar si organizatorë.

Gjatë operacionit të zhvilluar në qytetin e Fushë-Arrëzit, efektivët konstatuan se në ambientet e një lokali organizoheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasi P. P., 30 vjeç, banues në Fushë-Arrëz, i cili punonte në këtë lokal, shkruan rtsh.al.

Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit I. T., 30 vjeç dhe G. P., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët dyshohet se ishin organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, policia sekuestroi 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe shumën prej 140 000 lekësh, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i kundërligjshëm.

Policia vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje në rrjete sociale