Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja së bashku me përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), kanë zhvilluar sot një vizitë në pikat kufitare në Merdarë dhe Hani i Elezit, me qëllim të monitorimit të zbatimit të kontrolleve fitosanitare dhe veterinare, si dhe të masave të ndërmarra për mbrojtjen e tregut të qumështit dhe produkteve të tjera.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj vizite, Muja po ashtu është njoftuar me ecurinë e zbatimit të masave të reja, të cilat përfshijnë vendosjen e akcizës për qumështin pluhur dhe produktet që përmbajnë vaj palme, si dhe forcimin e kontrolleve për produktet e qumështit, produktet e tjera ushqimore dhe kafshët që hyjnë në Kosovë, shkruan Arbresh.info.
Me këtë rast, është theksuar se të gjitha produktet e qumështit, si dhe produktet ushqimore dhe kafshët që importohen, po i nënshtrohen kontrolleve të shtuara dhe analizave laboratorike nga AUV-ja, në funksion të verifikimit të përbërjes, respektimit të standardeve dhe garantimit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore për konsumatorët dhe për sektorin blegtoral në vend.
Ministri Muja gjatë kësaj vizite ka theksuar se zbatimi rigoroz i këtyre masave është thelbësor për mbrojtjen e tregut vendor të produkteve ushqimore dhe për krijimin e kushteve të barabarta për prodhuesit lokalë.
“Këto masa janë të domosdoshme dhe janë në interes të mbrojtjes së konsumatorit, garantimit të cilësisë dhe mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe ekonomive familjare”, theksoi Ministri Muja, duke shtuar se do të vazhdojnë me kontrolle të shtuara në të gjitha pikat hyrëse, në mënyrë që çdo produkt që hyn në tregun vendorë të jetë në përputhje me standardet e përcaktuara.
Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin e AUV-së dhe institucioneve të tjera relevante në zbatimin e këtij vendimi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e zbatimit të plotë të masave./Arbresh.info






Vuçiq përballet me presion në rritje pas protestave studento...
KFOR-i riafirmon përkushtimin për sigurinë në Kosovë
Keith Self: Të zbatohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni...
Të shtëna me armë në Breg të Diellit, Policia konfirmon vdek...
Aksident në hyrje të tunelit të Kalimashit, raportohet për t...
Krisma armësh në Prishtinë, dyshohet për një të plagosur