Samiti i Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në Tivat të Malit të Zi, përfundoi pa një deklaratë të përbashkët, por me një komunikatë ku liderët evropianë konfirmuan mbështetjen për procesin e zgjerimit dhe për reformat që po zhvillohen në rajon.
Në komunikatën e publikuar pas takimit, BE-ja theksoi se procesi i anëtarësimit vazhdon të mbetet i bazuar në meritë, ndërsa u prezantuan edhe disa iniciativa të reja për forcimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Njëra prej tyre është zgjerimi i bashkëpunimit me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike, me synimin për të rritur mbrojtjen ndaj sulmeve dhe kërcënimeve kibernetike në rajon.
Po ashtu, BE-ja njoftoi nisjen e një programi të ri mobiliteti për administratën publike, i cili do t’u mundësojë deri në 100 nëpunësve civilë nga Ballkani Perëndimor të fitojnë përvojë pune në institucionet e shteteve anëtare të unionit.
Një tjetër nismë e paralajmëruar është zgjerimi i programit DiscoverEU, i cili pritet t’u ofrojë të rinjve 18-vjeçarë nga rajoni bileta falas udhëtimi duke filluar nga viti 2027.
Në fokus të samitit ishte edhe procesi i zgjerimit të BE-së. Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe Mali i Zi, duke theksuar se zgjerimi duhet të jetë më i shpejtë dhe më i prekshëm për qytetarët.
“Zgjerimi bazohet në meritë, por kjo nuk do të thotë se duhet të jetë i ngadaltë. Tani ekziston një moment i favorshëm që duhet shfrytëzuar për ta kthyer në hapa konkretë drejt anëtarësimit”, deklaroi Von der Leyen.
Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar Edi Rama bëri thirrje për një qasje të re ndaj zgjerimit, duke kërkuar përfshirje më të madhe të vendeve kandidate në proceset evropiane edhe para anëtarësimit të plotë.
Në përfundim të samitit, Bashkimi Evropian ritheksoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimi rajonal dhe koordinimi në politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen mbeten elemente kyçe në rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.
Rritet në 452 numri i rasteve me Ebola në Kongo, 82 viktima
Arsenali futet në garë për Ander Barrenetxea
Kurti: Zgjedhjet ishin të panevojshme, por tash votimi është...
Dua Lipa dhe Callum Turner nisin festimet e dasmës në Palerm...
Kosovari shpallet fajtor për zjarrvënie në Ulqin, dënohet me...
Autoritetet ndalojnë 50 mijë euro të padeklaruara në Durrës