Autoritetet ndalojnë 50 mijë euro të padeklaruara në Durrës

21:45 | 5 Qershor 2026
E H

Rreth 50 mijë euro të padeklaruara janë sekuestruar në Portin e Durrësit gjatë një aksioni të përbashkët të Administratës Doganore dhe Policisë Kufitare.

Sipas autoriteteve, gjatë kontrolleve të zhvilluara në hyrje të vijës së dytë për mjetet e rënda, në një automjet tip bizarkë është gjetur një çantë me para në cash, të ndara në prerje të ndryshme, të cilat nuk ishin deklaruar sipas procedurave ligjore.

Pas zbulimit të rastit, autoritetet kanë bllokuar shumën e parave, drejtuesin e mjetit si dhe vetë automjetin, ndërsa rasti është referuar për hetime të mëtejshme te strukturat kompetente të kufirit dhe migracionit në Durrës.

Institucionet përgjegjëse kanë bërë të ditur se kontrollet në pikat kufitare do të vazhdojnë me intensitet të shtuar, me synim parandalimin e shkeljeve doganore dhe financiare.

Administrata Doganore theksoi se bashkëpunimi me institucionet e tjera të sigurisë mbetet thelbësor në luftën kundër veprimtarive të paligjshme dhe në forcimin e kontrollit në kufijtë e vendit.