Osmani para ushtarëve amerikanë: Në orët më të errëta, ShBA-ja qëndroi me Kosovën

14:43 | 27 Shtator 2025
E.K

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane, duke ndarë me të pranishmit rrugëtimin historik të Kosovës, nga mbijetesa në liri.

Ajo theksoi rëndësinë e kontributit të ushtarëve amerikanë dhe aleancës të fortë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Gjatë fjalimit, Osmani kujtoi kohën kur Kosova po kalonte një periudhë të vështirë dhe të dhimbshme, duke përmendur se ishte Amerika dhe NATO që i dhanë mundësinë Kosovës të çlirohej dhe të ndërtonte një shtet të sigurt.

Osmani shprehu falënderime të pafundme ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Kosovës.

“Erdha tek ju jo vetëm si Presidente e Republikës së Kosovës, por edhe si dikush që është rritur gjatë një lufte gjenocidale. Isha një vajzë shumë e re kur Kosova po përballej me një luftë të pamëshirshme nga regjimi i Millosheviqit. Ishte një kohë kur po dëboheshim nga shtëpitë tona, kur të dashurit tanë po vriteshin para syve tanë dhe kur fëmijëria jonë ishte thjesht luftë, konflikt, shkatërrim dhe vuajtje. Vetë ekzistenca jonë ishte në pikëpyetje”.

“Dhe në ato orë më të errëta, Amerika qëndroi pranë nesh. Ishin ushtarët amerikanë, krah për krah me aleatët tanë të NATO-s, ata që erdhën në Kosovë dhe e shndërruan dëshpërimin në shpresë, frikën në siguri dhe okupimin në liri. Çdo familje në vendin tim, mban një kujtim për herën e parë kur pa flamurin amerikan në krahun e një ushtari amerikan. Ata panë shpëtimtarët e tyre. Për ne, ai flamur nuk është thjesht simbol i një shteti tjetër. Ai ishte simboli i një premtimi — se edhe njerëzit në vendet më të vogla nuk do të braktiseshin nëse qëndronin për të drejtën e tyre hyjnore për të qenë të lirë”.