Presidentja sllovene ngre flamurin Palestinez në Pallatin Presidencial

23:01 | 5 Qershor 2026
E H

Pallati Presidencial në Slloveni ka ngritur flamurin palestinez të premten, vetëm një ditë pasi ai ishte hequr nga fasada e ndërtesës qeveritare në Lubjanë pas ndryshimeve të fundit politike në vend.

Presidentja Nataša Pirc Musar njoftoi vendimin përmes rrjetit social X, duke bërë të ditur se flamuri do të qëndrojë në fasadën e Pallatit Presidencial për një javë, pas së cilës do të zhvendoset brenda institucionit.

Sipas saj, vendimi synon të shprehë solidaritet me popullin palestinez dhe të dënojë shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut. Ajo deklaroi se situata në Gaza dhe Bregun Perëndimor mbetet e rëndë dhe se mungon respektimi i dinjitetit njerëzor.

Presidentja theksoi se flamuri përfaqëson një thirrje për respektimin e të drejtave themelore të njeriut, jo vetëm në Palestinë, por në të gjitha vendet ku ato cenohen.

Ky veprim vjen në një moment kur në Slloveni ka pasur ndryshime politike dhe dallime të dukshme mes presidencës dhe qeverisë së re në qëndrimet lidhur me çështjen palestineze.