Arbeloa: Dua lojtarë që çdo ditë të sillen si lojtarë të Real Madridit, nuk mjafton vetëm talenti

11:50 | 9 Prill 2026
D.H

Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa ka dal në konferencë për media para ndeshjes së nesërme në kuadër të La Ligas ndaj Gironas.

Ai ka analizuar gjendjen e skuadrës pas humbjes nga Bayerni, si dhe ka dhënë disa informata rreth formacionin të nesërm, shkruan Arbresh.info.

Arbeloa theksoi se fokusi kryesor është ndeshja e radhës.

“Kemi shumë dëshirë të luajmë në shtëpi para tifozëve tanë. Duhet të dalim për tri pikët dhe të bëjmë një ndeshje të madhe.”

Ai theksoi se dyshja Militao e Bellingham pritet të jenë titullarë, derisa minuta do të ketë edhe për Mendyn.

Arbeloa shtoi se nuk mendon për rotacione, pavarësisht sfidës së kthimit në Ligën e Kampionëve.

“Ndeshja më e rëndësishme për mua është ajo e nesërmja. Do të nxjerrim formacionin më të mirë të mundshëm.”

Spanjolli kërkoi më shumë vazhdimësi nga yjet e skuadrës, përfshirë Kylian Mbappé.

“Nuk është vetëm Mbappé. Dua lojtarë që çdo ditë të sillen si lojtarë të Real Madridit. Talenti nuk mjafton, duhet edhe vetëkërkesë maksimale.”

Ai komentoi edhe fishkëllimat ndaj Vinícius Júnior.

“Kjo është pjesë e kërkesës së tifozëve. Është normale. Ne ndjejmë mbështetje të madhe nga Bernabéu.”

Arbeloa nuk i kurseu kritikat për arbitrat.

“Në Spanjë ende presim shpjegime. Ka shumë paqartësi në këto vendime. Edhe me VAR, një javë ndërhyn, javën tjetër jo”, shtoi tutje ai.

Real Madridi ka mbetur shtatë pikë mbrapa Barcelonës në garën për titull në La Liga. Blaugrana ka 76 sosh në pozitën e parë kurse Reali 69./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale