Kurti: Dy djemtë e policëve të rënë në detyrë, pjesë e gjeneratës së re të Policisë së Kosovës

18:35 | 26 Maj 2026
Q L

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar punën dhe rolin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), duke veçuar se në kuadër të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës janë edhe dy djemtë e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.

Sipas Kurtit, bëhet fjalë për Sokol Enver Zymerin dhe Jetlum Afrim Bunjakun, të cilët aktualisht janë kadetë në Akademi, shkruan Arbresh.info.

“Sokoli dhe Jetlumi sot janë kadetë në këtë Akademi ndërsa pas diplomimit do të jenë zyrtarë policorë shembullor në shërbim të qytetarëve tanë dhe në mbrojtje të Republikës sonë”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë të ditur se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, AKSP është akredituar për periudhën pesëvjeçare 2026–2031 në fushën e arsimit të lartë, ndërsa aktualisht po trajnohen 412 kadetë të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës dhe 100 kadetë të Shërbimit Korrektues.

Kurti theksoi se Akademia duhet të zhvillohet më tej jo vetëm si institucion mbështetës i mekanizmave të sigurisë, por edhe në aspektin akademik dhe hulumtues.

“Mbështetja jonë në të gjitha këto drejtime do të vazhdojë të jetë e plotë dhe e parezervë, me synim forcimin e mëtejmë të Akademisë si institucion i rëndësisë së veçantë për sigurinë dhe zhvillimin institucional të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale