Haxhiu pret në takim Kamberin dhe Sinanin, flasin për thellimin e bashkëpunimit në Luginë

13:41 | 8 Prill 2026
E.H

Kryetarja e Kuvendit dhe u.d presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu ka pritur sot në takim deputetin shqiptar nga Lugina, Shaip Kamberi, dhe Kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, së bashku me një delegacion nga Lugina.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu bëri të ditur se në takim u diskutua për mbështetjen për Luginën si dhe për thellimin e bashkëpunimit, transmeton Arbresh.info.

“Biseduam për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve për Luginën në fusha të ndryshme, si arsimi, kultura dhe institucionet, përfshirë edhe përkrahjen për studentët dhe specializantët”, ka shkruar Haxhiu.

“Po ashtu, diskutuam thellimin e bashkëpunimit dhe rolin e Kuvendit në adresimin e sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginë. Çështjet si pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, gjuha e urrejtjes dhe pengimi i fondeve vazhdojnë të mbeten shqetësime të serioze”, tha Haxhiu.

Në fund, kryeparlamentarja shtoi se në takim u dakorduan “që të vazhdojmë angazhimin institucional për të adresuar këto sfida dhe për të avancuar të drejtat e shqiptarëve në Luginë.”/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale