Kërcënimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur tarifa të reja ndaj tetë vendeve aleate që kundërshtojnë planin e tij për marrjen nën kontroll të Groenlandës ka nxitur reagime të ashpra nga liderët evropianë.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, e ka cilësuar këtë veprim si “plotësisht të gabuar”, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka quajtur atë “të papranueshëm”.
Këto reagime kanë ardhur pasi Trump njoftoi se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi një tarifë prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda. Ai ka paralajmëruar se tarifat mund të rriten më vonë deri në 25 për qind dhe do të mbeten në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje.
Trump ka insistuar se territori autonom danez i Groenlandës është kyç për sigurinë e SHBA-së dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes së tij edhe me forcë.
Pas këtyre kërcënimeve, Bashkimi Evropian ka thirrur një takim urgjent për të dielën në orën 17:00 në Bruksel. Sipas mediave të huaja, në takim do të marrin pjesë ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së.
Ndërkohë, të shtunën, mijëra qytetarë kanë protestuar në rrugët e Groenlandës dhe Danimarkës kundër planit të propozuar amerikan për marrjen nën kontroll të territorit.
Groenlanda ka një popullsi të vogël, por është e pasur me burime natyrore. Pozita e saj mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë strategjikisht të rëndësishme për sistemet e paralajmërimit të hershëm në rast sulmesh raketore dhe për monitorimin e lëvizjeve detare në rajon.
Trump ka deklaruar edhe më herët se Uashingtoni do ta marrë Groenlandën “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”.
Ylli i ri i francez afër transferimit tek Chelsea
KEK: Blloku B2 u ndal për shkak të kontrollit teknik
Ylber Ramadani do ta vazhdojë kontratën me Leccen
Haziri reagon për prekjen e votave: Lavdi ju qoftë marria
Operacioni kundër Call Center në Tiranë, SPAK jep detajet: G...
Banorët e Koliqit në protestë, shkak mungesa e rrymës