I refuzohet kërkesa e Isufajt për pezullimin e konkursit për Kryeprokuror

21:02 | 5 Qershor 2026
E H

Gjykata Administrative e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për caktimin e masës së sigurisë me të cilën synohej pezullimi i konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, deri në përfundimin e konfliktit administrativ ndaj Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Në aktvendimin e saj të datës 05.06.2026, Gjykata Administrative ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KPK-së për shpalljen e konkursit publik për këtë pozitë.

Sipas gjykatës, kërkuesi nuk ka arritur të dëshmojë ekzistimin e rrezikut për shkaktimin e një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm, që do të justifikonte vendosjen e masës së sigurisë. Po ashtu, është theksuar se vendimi i kontestuar lidhet vetëm me hapjen e procedurës së konkursit dhe nuk përbën vendim përfundimtar për emërim.

Gjykata ka marrë parasysh edhe interesin publik, duke vlerësuar se funksionimi i rregullt i sistemit prokurorial nuk duhet të pengohet në këtë fazë të procedurës.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor prej shtatë ditësh./Arbresh.info