Konjufca për çështjen e presidentit: Vjosa Osmani u bë temë nga LDK-ja vetëm kur e kuptuan se nuk është zgjedhja jonë

21:05 | 5 Qershor 2026
A Z

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova është dërguar në zgjedhje nga subjektet politike që, sipas tij, nuk kanë ofruar propozime konkrete për tejkalimin e situatës politike.

Konjufca, në Dukagjin, u shpreh se vendi është përballur me një “situatë të ngushtë politike”, ku më pas Lëvizja Vetëvendosje është detyruar të veprojë, pasi sipas tij, mospropozimi i një kandidati për president do të ishte një situatë edhe më problematike.

Konjufca deklaroi se gjatë 48 orëve para zhvillimeve vendimtare janë bërë përpjekje për marrëveshje politike, përfshirë takime të kryeministrit Albin Kurti me përfaqësues të LDK-së dhe PDK-së.

Sipas tij, diskutimet me PDK-në kanë qenë më të ndërlikuara për shkak të qasjes së tyre ndaj zgjedhjes së presidentit, të cilën e konsideroi si të orientuar drejt një figure partiake.

Ndërsa për LDK-në, Konjufca tha se fillimisht është dukur më e lehtë arritja e një marrëveshjeje, por sipas tij, palët nuk kanë arritur të bien dakord për një emër të përbashkët për president.

Ai shtoi se çështja e Vjosa Osmanit është ngritur vetëm pasi, sipas tij, pasi LDK-ja e kuptoi se nuk është zgjedhja e VV-së.

“Mendoj se edhe vitin e kaluar edhe sivjet Kosovën e dërguan në zgjedhje ata të cilët nuk dhanë kurrfarë propozimi konkret qysh me dal prej situatës në të cilën u gjendëm dhe pastaj kur u konsumua koha dhe erdhëm tek ajo ‘gryka e ngushtë’ e procesit atëherë LVV-ja veproi sepse do të ishte edhe më skandaloze që ne të mos propozonim president fare – si partia që e ka marrë 51% të votave të qytetarëve. Krejt kjo ka ndodhur në 48 orët e fundit – 48 orë para se me ardh kjo ne kemi pasur të gjitha përpjekjet e sinqerta disa takime kryeministri Kurti i ka pasur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës. Me të thënë të drejtën me PDK-në ka qenë më i ndërlikuar debati, diskutimi për arsye se forma në të cilën e ka shkruar PDK-ja zgjedhjen e presidentit ka qenë vështirë e pranueshme për ne pasi dukej që PDK-ja donte një president partiak i cili drejtpërdrejt do ti takonte PDK-së kurse me LDK-në fillimisht na u duk më e lehtë pasi këta vëtë e propozuan presidentin jopartiak por pastaj kur erdhëm tek hapja e asaj teme na u duk që nuk arritëm të vim deri tek një emër i përbashkët pasi Abdixhiku nuk dha një emër të veçantë – çështja e Vjosa Osmanit u bë temë vetëm kur ata e kuptuan se nuk do të jetë zgjedhja jonë”, u shpreh Konjufca.