Samiti në Tivat: BE diskuton integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor

20:27 | 5 Qershor 2026
E H

Në qytetin bregdetar të Tivatit në Mal të Zi po zhvillohet samiti mes liderëve të Bashkimit Evropian, përfaqësuesve të shteteve anëtare dhe udhëheqësve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kosova në këtë samit përfaqësohet nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar avancimin e statusit të vendit kandidat dhe ka theksuar orientimin e Kosovës drejt politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

Një nga temat kryesore të diskutimit në samit është edhe propozimi i presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Sipas këtij propozimi, vendet e rajonit do të mund të përfshihen më shpejt në disa politika dhe mekanizma të BE-së, përpara anëtarësimit të plotë në unionin me 27 shtete.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, gjatë fjalës së tij, ka folur edhe për procesin e zgjerimit, duke u ndalur veçanërisht te Serbia, e cila është kandidate për anëtarësim në BE.

“Shumë qartë i kemi thënë presidentit serb se çfarë presim, por kemi ofruar edhe një mundësi konkrete që Serbia e ka të hapur rrugën drejt BE-së. Megjithatë, Serbia duhet të vendosë qartë se ku qëndron. Një politikë luhatëse mes Kinës, Rusisë dhe Evropës nuk është e mundur. Serbia duhet të përcaktojë qartë të ardhmen e saj”, është shprehur Merz.

Ai ka theksuar gjithashtu se propozimi për integrim gradual të Ballkanit është pritur pozitivisht në samit, duke nënvizuar se objektivi përfundimtar mbetet anëtarësimi i plotë i Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në Bashkimin Evropian.

Të ngjashme