Presidenti i Fenerbahçes dënohet me 2 vjet e gjysmë burg

21:13 | 5 Qershor 2026
E H

Presidenti i Fenerbahçe, Sadettin Saran, është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burg në lidhje me një rast që lidhet me baste të paligjshme.

Sipas mediave turke, vendimi është marrë nga një gjykatë në Stamboll, vetëm pak ditë para Mbledhjes së Jashtëzakonshme Zgjedhore të Asamblesë së Përgjithshme të klubit, e cila pritet të mbahet këtë fundjavë, transmeton Klankosova.tv.

Në të njëjtin rast është dënuar edhe vëllai i tij, Alan Kenan Saran, me të njëjtën masë dënimi. Të dy janë gjobitur gjithashtu me rreth 10 mijë euro secili.

Procesi gjyqësor lidhet me akuzat se grupi mediatik në pronësi të Saranit kishte transmetuar reklama të lojërave të fatit të paligjshme gjatë një ndeshjeje futbolli.

Megjithatë, përfaqësuesit ligjorë të Saranit kanë bërë të ditur se vendimi nuk është përfundimtar dhe se do të kundërshtohet në instancat më të larta gjyqësore.

“Vendimi ndaj Sadettin Saran dhe Alan Kenan Saran nuk është i formës së prerë dhe do të shqyrtohet nga gjykatat kompetente pas procedurave të ankimimit”, ka deklaruar avokati i tyre, Serdar Yigit.

Ky vendim ka ngjallur reagime në opinionin publik në Turqi dhe pritet të ketë jehonë edhe në zhvillimet e ardhshme brenda Fenerbahçes.