Sot Kurban Bajrami, mijëra besimtarë falin namazin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

07:18 | 27 Maj 2026
E.K

Një prej dy festvave më të rëndësishme të kalendarit islam, Kurban Bajrami është festuar sot nga besimtarë myslimanë.

Mijëra besimtarë u mblodhën në orët e para të mëngjesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për faljen e namazit të Kurban Bajramit, por edhe në xhamitë e tjera të vendit. Po ashtu, mijëra besimtarë në të gjitha qytetet e vendit janë mbledhur në sheshe dhe në xhami për të kryer një nga ritualet e kësaj dite të shënuar, faljen e namazit.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë urimet e tij me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar rëndësinë e paqes, solidaritetit dhe harmonisë mes njerëzve.

Në një prononcim për RTSH nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sipas kreut të Komunitetit Mysliman, mesazhi i kësaj feste mbetet një thirrje e fuqishme për forcimin e moralit, përgjegjësisë dhe humanizmit në jetën e përditshme.

“Feja jonë ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat njerëzore universale. Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve, të moshuarve dhe njerëzve në nevojë”, theksoi Spahiu.

Ai nënvizoi se Kurbani përfaqëson solidaritetin, ndarjen dhe kujdesin për tjetrin, sidomos në një kohë kur bota përballet me sfida dhe konflikte të shumta.

Për besimtarët kjo është një ditë e veçantë. Ata urojnë njëri tjetrin për më shumë unitet në familje dhe për më shumë paqe për njerëzimin.

Kurban Bajrami pasohet në familjet e besimtarëve edhe me prerjen e një kurbani, kryesisht qingj, si shenjë devotshmëri dhe sacrifice.

Për 3 ditë me radhë, besimtarët myslimanë kanë mundësi të presin kurbanet e tyre kush nuk ka mundësi për sot, si dhe të kryejë disa tradita si vizita e të afërmve, njerëzve në nevojë apo e të sëmurëve./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale