Kreu i ‘Dardanëve’ zbulon vendin ku takohen tifozët, nga aty shkojnë të gjithë bashkë në stadium

13:16 | 26 Mars 2026
E.H

Kombëtarja e Kosovës luan sot (e enjte) në mbrëmje ndaj Sllovakisë në ndeshjen vendimtare të play-off-it për kualifikim në Kupën e Botës, me fillim në orën 20:45 në Bratislavë.

Grupi i tifozëve “Dardanët” ka bërë thirrje për të gjithë mbështetësit që të grumbullohen në mënyrë të organizuar dhe në koordinim me forcat e rendit sllovake.

Sipas udhëheqësit të tifozëve, Lulzim Berisha, vendtakimi për tifozët rekomandohet te: Gelato Point, Laurinská 780/2, 811 01 Staré Mesto, Bratislavë në ora 14:00 – 17:45.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari i tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha i bën thirrje çdo shqiptari të jetë pjesë e mbështetjes për Kombëtaren e Kosovës, duke kujtuar sakrificat e atyre që kanë mbrojtur futbollin në trojet shqiptare edhe në kohën e okupatorëve dhe duke inkurajuar tifozët të kalojnë çdo pengesë burokratike.

Postimi pa ndërhyrje

Me besë e nder dardani, në çdo betejë, si dje ashtu edhe sot, gjithmonë mbetem i betuar si ushtar i yti. Për ata që rrezikuan jetën dhe lirinë për të mos u ndalur futbolli në këto troje edhe në kohën e okupatorit shovinist shekullor dhe nuk janë më në mesin tonë dhe për miliona tjerë që janë të gatshëm ta sundojnë çdo stadium bote për ty, duke kapërcyer çdo pengesë burokratike, kaloje edhe këtë sfidë si krenare, ashtu siç je.

APEL

Për të gjithë shqiptarët që do të jenë në stadium, ju bëjmë thirrje që nga ora 14:00 deri në 17:45 është më shumë sesa e këshillueshme të vini te vendtakimi i Dardanëve, në koordinim me forcat e rendit sllovake. Për çështje organizative dhe të marrjes rrugë drejt stadiumit, autoritetet sllovake apelojnë që të gjithë tifozët e Kosovës të grumbullohen në adresën si vijon:

Gelato Point, Laurinská 780/2, 811 01 Staré Mesto, Slovakia

Të giitha informatat e detajuara, mund t’i gjeni në faqen e Dardanëve.

Je më e shenjta që kemi, Kosovë. Besa – besë!/Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale