Bizneset nisin shtrenjtimet, Inspektorati i Tregut thotë se kjo çështje është e rregulluar me ekonominë e tregut të lirë

14:40 | 3 Maj 2025
E.K

Para se të hyjë në fuqi vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 16.1 për qind, disa furra buke dhe biznese të gastronomisë kanë filluar tashmë të rrisin çmimet e produkteve të tyre.

Për të kuptuar nëse po ushtrohet kontroll ndaj këtyre çmimeve, mediumi Arbresh.info ka kontaktuar Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, i cili ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar inspektime të rregullta në terren.

Inspektorati ka theksuar se është duke realizuar inspektime të rregullta në terren për të monitoruar vendosjen e çmimeve nga operatorët ekonomikë dhe për të verifikuar diferencën e çmimit raft-arkë.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka për mision mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, mbrojtjen e konkurrencës së drejtë dhe eliminimin e praktikave të padrejta tregtare, si dhe luftimin e informalitetit. Duke iu referuar çështjes, për të cilën ju keni kërkuar informacione, ju njoftojmë se inspektorët e tregut të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave e mandatit ligjor që kanë, si dhe duke u mbështetur në planin e rregullt të punës realizojnë inspektime të vazhdueshme në terren edhe sa i përket vendosjes së çmimeve në treg nga ana e operatorëve ekonomikë për të verifikuar diferencën e çmimit raft-arkë”, thonë ata.

Lidhur me vetë mekanizmin e rritjes së çmimeve në treg, nga Inspektorati bëjnë të ditur se: “Kjo çështje është e rregulluar me ekonominë e tregut të lirë.”

“Ju njoftojmë ju dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i përkushtuar të mbrojë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, luftimin e informalitetit, eliminimin e praktikave të padrejta tregtare, si dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe në rastet kur konstatohet se nuk respektohen kërkesat ligjore, inspektorët e tregut do të ndërmarrin veprime lidhur me ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë, si dhe masa të tjera ndëshkuese sipas legjislacionit aktual në fuqi”, pohojnë ata./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

Ngritja e pakontrolluar e çmimeve- Disa s’e priten ngritjen e çmimit të rrymës, e disa paralajmërojnë ngritje nga maji

Ekonomisti: Duhet të merren masa kundër inflacionit dhe kundrejt çmimeve, s’është normale për çdo muaj të ketë ngritje