Google ADS

Ekonomisti: Duhet të merren masa kundër inflacionit dhe kundrejt çmimeve, s’është normale për çdo muaj të ketë ngritje

14:00 | 3 Maj 2025
E.K

Ngritja e çmimeve të disa produkteve, ende pa u ngritur çmimi i energjisë elektrike, është shqetësuese.

Kështu thotë ekonomisti, Jakup Bellaqa, i cili thotë se këto ngritje të pakontrolluara, janë shqetësuese.

Ai për Arbresh.info thotë se rritja e çmimeve nuk është e justifikueshme dhe shpreh shqetësimin e mungesës së kontrollit shtetëror, si pasojë e së cilës, ai thotë se po lë hapësirë për abuzime.

“Rritja e çmimeve është e pa justifikueshme, sepse këto çmime nuk janë të kontrolluara nga shteti. Si faktor që ka ndikuar është edhe rritja e energjisë elektrike për 16.1 për qind e cila e ka vështirësuar zinxhirin prodhues, e cila ka ndikuar edhe në fuqinë blerës të konsumatorit. Gjithashtu më shqetësuese është tek kategoritë me të ardhura më të ulëta, tek kategoritë pensionale, tek kategoritë e skemave sociale po ashtu edhe tek sektori privat”, thekson ai.

Ai kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa në parandalimin e inflacionit në vend.

 

“Duhet të merren masa kundër inflacionit dhe kundrejt çmimeve sepse nuk është normale që për çdo muaj të ketë ngritje të çmimeve. Nuk ka arsye ekonomike që një kafe të shtrenjtohet për 1 euro e gjysmë, sepse për ta shpenzuar rrymën për një kafe për 30 sekonda me aparat nuk shpenzon rrymë, sepse kostoja është shumë e vogël e rrymës”, thotë ai.

Bellaqa pohon se mungesa e institucioneve funksionale po e përkeqëson situatën, duke krijuar një vakum politik që ndikon negativisht në mbarëvajtjen e ekonomisë.

“Mos-formimi institucioneve ndikon negativisht që ndikon në proceset ekonomike sepse në këtë rast është një vakum institucional sepse deri sa nuk ka qeveri me kompetenca të plota që e ka mandatin e vetë sigurisht që ndihet nuk është funksionale, sepse qeveria duhet te formohet sa më shpejtë dhe përpara qeverisë duhet të konstituohet kuvendi sepse po krijohet një destabilitet politik ku po e përkeqëson edhe të bëri biznes”, pohon Bellaqa.

Ai kërkon që të ketë më shumë inspektorë të tregut që të kontrollohen këto çmime.

Në lidhje me shqetësimet për ngritjen e çmimeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka dhënë një përgjigje për Arbresh.info, ku theksohet se janë duke u zhvilluar inspektime të rregullta në terren.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka për mision mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, mbrojtjen e konkurrencës së drejtë dhe eliminimin e praktikave të padrejta tregtare, si dhe luftimin e informalitetit. Duke iu referuar çështjes, për të cilën ju keni kërkuar informacione, ju njoftojmë se inspektorët e tregut të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave e mandatit ligjor që kanë, si dhe duke u mbështetur në planin e rregullt të punës realizojnë inspektime të vazhdueshme në terren edhe sa i përket vendosjes së çmimeve në treg nga ana e operatorëve ekonomikë për të verifikuar diferencën e çmimit raft-arkë”, thonë ata.

Lidhur me vetë mekanizmin e rritjes së çmimeve në treg, nga Inspektorati bëjnë të ditur se: “Kjo çështje është e rregulluar me ekonominë e tregut të lirë.”

“Ju njoftojmë ju dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i përkushtuar të mbrojë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, luftimin e informalitetit, eliminimin e praktikave të padrejta tregtare, si dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe në rastet kur konstatohet se nuk respektohen kërkesat ligjore, inspektorët e tregut do të ndërmarrin veprime lidhur me ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë, si dhe masa të tjera ndëshkuese sipas legjislacionit aktual në fuqi”, pohojnë ata./Arbresh.info/

 

LEXO EDHE:

Ngritja e pakontrolluar e çmimeve- Disa s’e priten ngritjen e çmimit të rrymës, e disa paralajmërojnë ngritje nga maji

 

Shpërndaje në rrjete sociale