Në kërkim ndërkombëtar për narkotikë, ekstradohen në Tiranë nga Dubai 6 personat e përfshirë në grupe kriminale

23:21 | 5 Qershor 2026
E H

Është finalizuar operacioni i ekstradimit nga Dubai drejt Shqipërisë i disa shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhura me trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave dhe mashtrimin kompjuterik.

Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri janë sjellë disa persona të kërkuar, mes tyre Kristo Qirici alias Jetmir Hoxha alias Jetmir Qirici, Shkëlzen Kraja, Ilir Lazri alias Ilir Sula, Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj, Devit Patrut alias Elidon Skendaj alias Devid Boraj alias Fatmir Pepaj dhe Merxhan Çeliku.

Të ekstraduarit dyshohet se janë të përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale.

Ndërkohë, autoritetet kanë konfirmuar edhe ekstradimin e dy shtetasve të tjerë, I.L., 30 vjeç, i dyshuar për pastrim parash, dhe M.C., 34 vjeç, i dyshuar për mashtrim kompjuterik.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se mbetet e angazhuar në vijimësi për lokalizimin dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar, me qëllim përballjen e tyre me drejtësinë shqiptare./tch