Ende pa hyrë në fuqi vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16.1 për qind, disa furra dhe një pjesë e gastronomisë kanë nisur ngritjen e çmimit të produkteve të tyre.
Buka në disa furra është bërë 70 centë, nga 50 sa ishte deri tash , ndërsa në disa kafiteri çmimi i makiatos së madhe është bërë 1.50 cent, e në disa deri në 2 euro, raporton Arbresh.info.
Derisa disa veç i kanë ngritur çmimet, janë edhe të tjerët biznese që po paralajmërojnë ngritjen e çmimit të produkteve të tyre.
Arsyetimi i tyre është se nuk kanë zgjidhje tjetër, pasi produktet bazë kanë pësuar ngritje çmimi dhe për këtë edhe ata janë të obliguar të ngrisin çmimin e bukës dhe kafes.
Pronari i një furre në qendër të Prishtinës, Hamëz Osmanollaj për Arbresh.info tregon se furra e tij ende nuk ka ngritur çmimet, por që shumë shpejt do ta bëjë.
Një gjë e tillë, sipas tij, është e pashmangshme në ditët në vijim.
Aktualisht buka në këtë furrë është 50 cent, mirëpo ditëve në vazhdim pritet të bëhet 70 cent.
“Jo ende nuk i kem i rritë. Po besoj që po kemi me i ngrit çmimet tash shumë shpejtë. Si faktorë kryesor është rryma, pastaj janë rritë edhe shumë produkte që ne i shfrytëzojmë siç është fara e bukës (tharmi). Aktualisht një bukë është 50 cent, pas ngritjes së çmimeve pritet të bëhet 70 cent, sepse janë shtrenjtuar të gjitha gjërat. Nga ku furnizohemi ne nuk kemi marrë asnjë lloj sinjali që pritet me u ngrit çmimi, por sigurisht që po”, pohon ai.
Nga ana tjetër, disa pronarë kafenesh në kryeqytet, të cilët zgjodhën të mbeten anonimë, kanë bërë të ditur se rritja e çmimeve të produkteve të tyre është pasojë e dy faktorëve kryesorë, përfshirë shtrenjtimi nga furnitorët dhe rritja e tarifave të energjisë elektrike.
Bellaqa: Duhet të merren masa kundër inflacionit dhe kundrejt çmimeve, s’është normale për çdo muaj të ketë ngritje
Këto ngritje të pakontrolluara, janë shqetësuese sipas ekonomistit, Jakup Bellaqa.
Ai për Arbresh.info thotë se rritja e çmimeve nuk është e justifikueshme dhe shpreh shqetësimin e mungesës së kontrollit shtetëror, si pasojë e së cilës, ai thotë se po lë hapësirë për abuzime.
“Rritja e çmimeve është e pa justifikueshme, sepse këto çmime nuk janë të kontrolluara nga shteti. Si faktor që ka ndikuar është edhe rritja e energjisë elektrike për 16.1 për qind e cila e ka vështirësuar zinxhirin prodhues, e cila ka ndikuar edhe në fuqinë blerës të konsumatorit. Gjithashtu më shqetësuese është tek kategoritë me të ardhura më të ulëta, tek kategoritë pensionale, tek kategoritë e skemave sociale po ashtu edhe tek sektori privat”, thekson ai.
Ai kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa në parandalimin e inflacionit në vend.
“Duhet të merren masa kundër inflacionit dhe kundrejt çmimeve sepse nuk është normale që për çdo muaj të ketë ngritje të çmimeve. Nuk ka arsye ekonomike që një kafe të shtrenjtohet për 1 euro e gjysmë, sepse për ta shpenzuar rrymën për një kafe për 30 sekonda me aparat nuk shpenzon rrymë, sepse kostoja është shumë e vogël e rrymës”, thotë ai.
Bellaqa pohon se mungesa e institucioneve funksionale po e përkeqëson situatën, duke krijuar një vakum politik që ndikon negativisht në mbarëvajtjen e ekonomisë.
“Mos-formimi institucioneve ndikon negativisht që ndikon në proceset ekonomike sepse në këtë rast është një vakum institucional sepse deri sa nuk ka qeveri me kompetenca të plota që e ka mandatin e vetë sigurisht që ndihet nuk është funksionale, sepse qeveria duhet te formohet sa më shpejtë dhe përpara qeverisë duhet të konstituohet kuvendi sepse po krijohet një destabilitet politik ku po e përkeqëson edhe të bëri biznes”, pohon Bellaqa.
Ai kërkon që të ketë më shumë inspektorë të tregut që të kontrollohen këto çmime.
Në anën tjetër Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar lidhur me paralajmërimet për ngritjen e çmimeve të bukës, kafesë dhe produkteve të shportës bazike.
Ky Autoritet thotë se nuk ka mandat për të përcaktuar ose ulur çmimet, por ndërhyn kur çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar ose artificiale, nga ndërmarrje konkurrente. Po ashtu, AK-ja ka bërë të ditur se është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
Transferimi i Dakut tek Zeniti drejt dështimit
Apeli lë në fuqi vendimin për sekuestrimin e apartamentit që...
Shpërthim në një fabrikë fishekzjarresh në Kinë, raportohet ...
Lufta Izrael-Iran, Trump: Duam një fund të vërtetë, jo armëp...
Dyshohet se e rrahu kundërvajtësin gjatë detyrës – Prokurori...
Vdes 23-vjeçarja që dyshohet se ra aksidentalisht nga një ba...