Departamenti i Drejtësisë thotë se ka kryer një operacion të gjerë për të shkatërruar rrjetet e shpërndarjes së fentanilit, duke ngritur akuza ndaj tetë kompanive kineze dhe 12 punonjësve të saj lidhur me krizën vdekjeprurëse të opioideve në Shtetet e Bashkuara. Fentanili është shkaktari kryesor i vdekjes për amerikanët e moshave 18 deri 49 vjeç, duke e bërë atë kërcënimin më vdekjeprurës nga drogat me të cilin Shtetet e Bashkuara janë përballur deri më tani, thonë zyrtarët e forcave të zbatimit të ligjit.
Prokurorët federalë në Florida ngritën tetë padi të veçanta, duke akuzuar tetë kompani kineze dhe punonjësit e tyre për prodhim të fentanilit dhe metamfetaminës, shpërndarjen e opioideve dhe furnizimin e trafikantëve të drogës me përbërës që përdoren për prodhimin e drogave të paligjshme.
“Ky rrjet përfshin udhëheqës të karteleve të drogës, trafikantë të drogës, individë që janë marrë me pastrimin e parave të tyre, forcat e tyre të sigurisë, furnizuesit e tyre me armë dhe furnizuesit e tyre me kimikate. Ne e dimë se ky zinxhir global i furnizimit me fentanil, që shkakton vdekje të amerikanëve, shpesh fillon me kompanitë e prodhimit të kimikateve në Kinë”, tha Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland.
Departamenti i Thesarit njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj 28 njerëzve dhe entiteteve në Kinë dhe Kanada, përfshirë një rrjet me bazë në Kinë që prodhon dhe shpërndan droga të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.
Në qershor, katër kompani kineze të prodhimit të kimikateve dhe tetë drejtues dhe punonjës të tyre u paditën në Shtetet e Bashkuara për trafikim të përbërësve kimikë, që përdoren për prodhimin e fentanilit.
Fentanili, një opioid sintetik që mund të shkaktojë vdekjen e një personi me një sasi shumë të vogël, po godet rëndë komunitetet në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, më shumë se 105 mijë amerikanë vdiqën nga mbidoza mes shkurtit të vitit 2022 dhe janarit të vitit 2023. Shumica e këtyre vdekjeve janë shkaktuar nga përdorimi i fentanilit ose drogave të tjera të të njëjtit lloj, të cilat kanë përbërje të ngjashme kimike dhe janë vdekjeprurëse.
Fentanili është shkaktari kryesor i vdekjes për amerikanët e moshave 18 deri 49 vjeç, duke e bërë atë kërcënimin më vdekjeprurës nga drogat, me të cilin Shtetet e Bashkuara janë përballur deri më tani, thonë zyrtarët e zbatimit të ligjit./voa
Presidentja Osmani takon sot Papa Leon në Pallatin Apostolik...
Trumpi thotë se Tajlanda dhe Kamboxhia janë pajtuar t’i ndal...
Vuçiq paralajmëron vizitë zyrtare në Kinë
Sindikatat shpallin grevë në Itali kundër buxhetit
Parashikimi i motit për sot
Sot protestë në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së...