Ole Gunnar Solskjaer është njeriu i duhur për të qenë në Manchester United. Ai është thjesht duke e bërë punën e gabuar.
Kërkimi i Manchester Unitedi për një gol të dytë në minutat e fundit të ndeshjes kundër Arsenalit i reflektoi mirë tentimet e klubit për ta gjetur një drejtor të futbollit. Ti thjesht e dije se ata nuk do të ishin të suksesshëm, shkruan AS.
Nën Ole Gunnar Solskjaer, Manchester Unitedi i ka shënuar dy ose më shumë gola vetëm një herë në 15 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, një statistikë kjo që bëhet më shqetësuese me çdo minutë që kalon.
Kundër Arsenalit, pamjet kur Solskjaer po e kritikonte Andreas Pereira sepse ai s’kishte qëndruar në pozitën e duhur i përshtateshin periudhës së tij si trajner i “Djajve të kuq”. Solskjaer po tentonte ta detyrojë një mesfushor qendror të kufizuar të luajë si sulmues anësor.
Tani ka filluar të duket se edhe Solskjaer është zgjedhja e gabuar për pozitën e trajnerit të Manchester Unitedit. Zgjidhja? Bëjeni atë drejtor të futbollit në vend të kësaj.
Gjatë vitit të kaluar, Manchester Unitedi është raportuar se i ka pasur disa kandidatë për pozitën e drejtorit të futbollit apo drejtorit sportiv. Megjithatë, klubi anglez asnjëherë s’arriti ta emërojë dikë në një pozitë të tillë.
“Sa i përket spekulimeve për një drejtor të futbollit, ne vazhdimisht jemi duke e shqyrtuar mundësinë për ta zhvilluar strukturën tonë drejtuese. Shumë prej spekulimeve kanë qenë të lidhura me departamentin e rekrutimeve dhe ne mendojmë se lojtarët që i kemi transferuar këtë verë e kanë dëshmuar se e kemi qasjen e duhur”, ka thënë Ed Woodward, drejtori ekzekutiv i klubit.
Rrjedhimisht, Manchester Unitedi nuk është më afër emërimit të një drejtori të futbollit. Por, siç e theksoi edhe Woodward, njeriu i duhur tashmë është në Old Trafford. Ai është thjesht i emëruar në pozitën e gabuar.
Tri transferimet e Manchester Unitedit këtë verë – Harry Maguire, Aaron Wan-Bissaka dhe Daniel James – e kanë përmirësuar skuadrën dhe konsiderohen si futbollistë të vlefshëm për të ardhmen e klubit. Manchester Unitedi nuk ka qenë në gjendje të bëjë rekrutime të tilla që kur Sir Alex Fergusoni u largua para gjashtë vjetëve.
Edhe pse negociatat u drejtuan nga Matt Judge, kryesuesi i negociatave në Manchester United, këto ishin transferimet e Solskjaerit, të rekomanduara nga Solskjaer, të implemetuara në rindërtimin që Solskjaeri po ia bën ekipit të parë. Tashmë kanë filluar negociatat për transferimet e janarit, mirëpo askush nuk do të bëhet lojtar i Unitedit nëse nuk përshtatet me filozofinë e Solskjaerit se si duhet të jetë një lojtar i “Djajve të kuq”.
Përtej transferimeve, Solskjaer është edhe duke e shtruar rrugën nga akademia e klubit te ekipi i parë. Në korrik, ish-bashkëlojtari i tij, Nicky Butt, u emërua në një rol tjetër, atë të kryesuesit të zhvillimit të ekipit të parë, për të punuar specifikisht me trajnerin në identifikimin e lojtarëve të akademisë që e meritojnë një mundësi në ekipin e parë. Nga kjo strukture e re tashmë kanë përfituar Mason Greenwood, Tahith Chong, Angel Gomes, Brandon Williams, James Garner dhe Axel Tuanzebe – të gjithë këta janë në skuadër për ndeshjen e sotshme kundër Alkmaarit.
Solskjaer e kupton Manchester Unitedin: historinë e klubit, pritshmëritë, kërkesat për stilin e lojës dhe lojtarët që duhen për t’i përmbushur këto kritere. Ai e kupton rëndësinë e akademisë dhe di si të ndërtojë ura drejt ekipit të parë. Ai e kupton rëndësinë e njëmendësisë në afatet kalimtare dhe e ka dëshmuar se di t’i bëjë transferimet e duhura. Ai është personi i duhur për pozitën e drejtorit të futbollit të Manchester Unitedit. /Gazeta Expre
KQZ nis shpërndarjen e materialit zgjedhor për zgjedhjet e 7...
Starmer sulmon FIFA-n: Po bën biznes të fëlliqur në kurriz t...
Lëvizja Vetëvendosje mban sonte tubimin përmbyllës zgjedhor ...
KQZ mban tri konferenca për media gjatë ditës së votimit në ...
Pacolli kritikon sistemin gjyqësor në Shqipëri: Po sfidohen ...
Sulme dhe kundërsulme: Irani dhe ShBA shkëmbejnë goditje në ...