Pacolli kritikon sistemin gjyqësor në Shqipëri: Po sfidohen vendimet e Gjykatës së Lartë

08:05 | 6 Qershor 2026
Q L

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me proceset gjyqësore që lidhen me Aeroportin e Vlorës, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen çështjet juridike që kanë të bëjnë me këtë projekt.

Përmes një postimi publik, Pacolli tha se është shqetësuese që në sistemin gjyqësor shqiptar një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët të “injorojë, anulojë dhe të sfidojë hapur vendimet e Kolegjit të Gjykatës së Lartë, duke vendosur ndryshe për të njëjtat çështje juridike të trajtuara më parë nga instanca më e lartë e drejtësisë”, shkruan Arbresh.info.

Sipas tij, një praktikë e tillë “cenon sigurinë juridike, hierarkinë gjyqësore dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, duke dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin dhe seriozitetin e shtetit shqiptar.

Pacolli u ndal edhe te vonesat në realizimin e projektit të Aeroportit të Vlorës, për të cilat tha se nuk janë të rastësishme.

“Opinioni publik duhet të dijë se vonesat në përfundimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës dhe në fillimin e operacioneve po shkaktohen nga grupe të mirëorganizuara që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe që, sipas bindjes sonë, janë të lidhura me faktorë që veprojnë brenda institucioneve”, deklaroi ai.

Ish-presidenti theksoi se me kalimin e kohës do të zbardhen përgjegjësitë për situatën e krijuar.

“Koha do të tregojë të vërtetën dhe do të nxjerrë në pah përgjegjësitë për këtë situatë”, u shpreh Pacolli.

Në fund, ai vlerësoi punën dhe angazhimin e atyre që kanë investuar në projekt, duke theksuar se nuk mund të mohohen “kontributi, përkushtimi, sakrifica dhe puna e palodhur e atyre që kanë investuar dhe kanë mbajtur mbi supe barrën financiare, profesionale dhe ligjore të këtij projekti”./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale