Kosovari shpallet fajtor për zjarrvënie në Ulqin, dënohet me burg

21:51 | 5 Qershor 2026
E H

Një 41-vjeçar nga Prizreni është dënuar nga Gjykata Themelore në Ulqin me një vit e dy muaj burgim, për shkaktimin e një zjarri që kishte përfshirë objekte afariste në rrugën “Solanski” në Ulqin, më 26 qershor të vitit të kaluar.

Sipas vendimit të gjykatës, i dënuari H.L. është shpallur fajtor për veprën penale të veprave të rënda kundër sigurisë publike, pasi zjarri ishte shkaktuar nga hedhja e një bishti cigareje, i cili më pas kishte çuar në përhapjen e flakëve në objektin e kompanisë “Agris”.

Gjykata Themelore në Ulqin ka bërë të ditur se me të njëjtin aktgjykim, i pandehuri obligohet t’u kompensojë të dëmtuarve dëmin material të shkaktuar nga incidenti.

Sipas njoftimit, palët kanë të drejtë ankese brenda tetë ditësh nga pranimi i aktgjykimit me shkrim.

Gjatë caktimit të dënimit, gjykata ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese, përfshirë faktin se i dënuari është i martuar, baba i dy fëmijëve të mitur dhe nuk ka precedent penal.

Si rrethanë rënduese është vlerësuar dëmi i konsiderueshëm material i shkaktuar nga zjarri, i cili ka prekur disa hapësira afariste. /vijesti