Përfundoi pa konkluzion debati mbi propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë

19:40 | 14 Janar 2021

Kuvendi shteri debatin mbi propozim-Ligjin për regjistrimin e popullsisë. Por ligji nuk u miratua për shkak të mungesës së kuorumit, pasi nuk ishin prezentë disa deputetët të shumicë parlamentare.

Debati i zhvilluar gjatë ditës u koncentrua kryesisht në keqpërdorimin e yllit Evropian dhe tendencat e pushtetit për ta miratuar ligjin me debat të kufizuar.

“U munduam që me amendamente ta përmirësojmë rregullativën ligjore, por meqë nuk u pranua asnjë prej tyre, çfarë vlere ka ky ylli Evropian? Për dy muaj keni miratuar gati 20 ligje me yllin Evropian. Rekord i paparë”- deklaroi Gordana Siljanovska, Deputete e VMRO-DPMNE-së.

Shumica parlamentare konsideron se deklaratat e kreut të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski se nuk do ta njeh rezultatin e regjistrimit minojnë procesin dhe rrezikon realizimin e tij.

“Me këtë neve para kohe e vëmë në pikëpyetje procesin. Ne duhet të kontribuojmë që proceset përfshi edhe regjistrimin të jenë sa më shumë të pranueshëm dhe jo të kontestueshëm”- Kastriot Rexhepi, Deputet i Lëvizjes Besa.

Propozim-Ligjin për regjistrimin e popullsisë do ta mbështesë edhe opozita shqiptare.

VMRO-DPMNE-ja dhe partia E Majta janë kundër procesit të regjistrimit të paraparë me këtë ligj. Regjistrimi popullsisë planifikohet të realizohet nga 01-21 prill, ndërsa do të përfshijë popullsinë, amvisëritë dhe banesat. Shtetasit të cilët nuk kanë qenë në Maqedoni të Veriut për më tepër se 1 vit do të regjistrohen si jo rezident./alsat

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara