Vizitori kanos oficerin korrektues në Dubravë, intervenon Policia

14:54 | 7 Qershor 2026
E.K

Një person është arrestuar të premten pasi dyshohet se ka kanosur një oficer korrektues brenda Qendrës Korrektuese në Dubravë.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, kur i dyshuari, në cilësinë e vizitorit, dyshohet se ka kërcënuar një zyrtar të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka bërë të ditur se pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

“Sot rreth orës 9 të mëngjesit Policia është informuar nga Burgu i Dubravës se një person, në cilësinë e vizitorit, pasi ka hyrë në objektin e burgut, e ka kanosur një oficer korrektues. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, është arrestuar personi dhe pas intervistimit është liruar me procedurë të rregullt”, ka deklaruar Rugova.