Google ADS

Pandemia thellon varfërinë, 329 familje i shtohen skemës sociale

08:12 | 29 Nëntor 2020
L G

Situata e krijuar në vend nga pandemia Covid-19, kë bërë që të rritet shkalla e varfërisë në Kosovë.

E gjatë kësaj periudhe numri i familjeve që hynë në kategorinë e familjeve të varfra është rritur dukshëm, shkruan arbesh.info

Sipas disa të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale shihet se gjatë periudhës tetor 2019- tetor 2020 numri i familjeve në skemën e ndihmës sociale është rritur për 329 familje.

Po ashtu, Musa Demiri, zëdhënës për informim në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale tha se edhe numri i anëtarëve të familjeve është rritur për 550 më shumë.

“Bazuar në të dhënat me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (tetor 2019), numri i shfrytëzuesve të ndihmë sociale në nivel vendi ishin: 24.462 familje, me 99.407 anëtarë të familjes, tani në tetor të vitit 2020 kishte 24.791 familje me 99.957 anëtarë të familjes. Pra, për periudhën tetor 2019 – tetor 2020 , numri i familjeve në Skemën e Ndihmës Sociale është rritur për 329 familje, ndërsa numri i anëtarëve të familjes është rritur për 550 anëtarë me shumë”, ka thënë Demiri.

Ndërsa sa i përket familjeve të cilat kanë aplikuar për asistencë prej 130 euro nga Pako Emergjente, ai thotë se numri total i familjeve është 26.734.

“Numri i familjeve përfituese nga Pakoja Emergjente ka qenë 26.734 familje me 78.661 anëtarë të familjes, sipas Masës Nr.15, të drejtën e përfitimit në pagesë të asistencës mujore në shumë prej njëqind e tridhjetë (130) eurosh për periudhën Prill-Qershor 2020, kanë pasuar familjet të cilat nuk e kanë asnjë të punësuar (sektorin publik dhe privat), nuk pranojnë asnjë pagesë mujore nga Buxheti i Republikës së Kosovës (pension apo asistencë tjetër sociale), si dhe aplikanti te jetë i lajmëruar si punëkërkues në zyrat e punësimit dhe është banor rezident në Republikën e Kosovës”, ka thënë Demiri.

E familjet të cilat varen nga ndihmat sociale, Demiri thotë se që nga viti 2018 marrin pagesa bazë prej 60 deri në 180 euro dhe nga 5 eruo për fëmijët deri në 18 vjeç.

“Të gjitha familjet e përzgjedhura/kualifikuara për ndihmë sociale, varësisht nga numri i pikëve dhe numri i anëtarëve të familjes, për çdo muaj (nga janari 2018) marrin prej 60€ – 180 € (pagesa bazë), dhe nga + 5.00 € për çdo fëmijë të moshës 0 – 18 vjeç”, ka thënë Demiri.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë se ekonominë në vend më së shumti po e rëndon jostabiliteti politik.

Ai në një përgjigje për arbresh.info thotë se Kosova është para sfidave të mëdha sociale dhe se ajo çka është më shqetësuese është që numri i familjeve që po kërkojnë ndihmë nga shteti po rritet çdo ditë.

“Ajo çka po e rëndon më së shumti popullatën e Kosovës është jostabiliteti politik dhe dëshmia që në Kosovë luftohet për pushtet e jo për shtet. Dhe sot punohet kundër popullit sepse nuk votohen ligjet esenciale. Është e vërtetë që kemi tkurrje të të hyrave nga doganat e Kosovës, tkurrje të të hyrave në administratë tatimore, flasim vetëm për remitancat në mënyrë direket nga diaspora që janë 806 milionë euro. Në këtë drejtim dihet që Kosova është para sfidave të mëdha sociale, ajo çka është më shqetësuese është që numri i familjeve që kërkojnë ndihmë nga shteti po rritet çdo ditë e më shumë”, tha Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut në vendin tonë politikanët më shumë merren me agjendë politike sesa me atë ekonomike dhe sociale.

“E në Kosovë më shumë po merren me agjendë politike, sesa me atë ekonomike dhe sociale. Është momenti i fundit ku qeveria të tregoj seriozitet përball popullit, bizneseve dhe qytetarët ta shijojnë dorën e zgjatur të shtetit”, tha Gërxhaliu

Ai po ashtu thotë se si pasojë e politikës së brishtë në Kosovë shumë procese mund edhe të kthehen mbrapa.

“Ndërsa vendet e tjera e rajonit janë investuar miliarda. Falë brishtisë politike mund të jetë një bombë e cila shumë procese i kthen mbrapa”, tha Gërxhaliu.

Varfërinë në botë si pasojë e përhapjes së virusit Covid-19 e ka paralajmëruar edhe Banka Botërore.

Sipas Presidentit të Bankës Botërore, David Malpass 60 milionë persona në botë do të përballen me varfëri ekstreme si pasojë e koronavirusit./arbresh.info/

Të ngjashme