“AI po bëhet armë” Papa Leo XIV jep paralajmërimin e fortë për botën

20:24 | 25 Maj 2026
E.H

Papa Leo XIV ka bërë thirrje të fortë për një “çarmatim” të inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar se zhvillimi i pakontrolluar i kësaj teknologjie mund të sjellë forma të reja dominimi, përjashtimi dhe madje “skllavërie moderne”.

Në enciklikën e tij të parë, të titulluar “Magnifica Humanitas”, Papa thekson se gara globale për zhvillimin e algoritmeve gjithnjë e më të fuqishme dhe për grumbullimin e të dhënave po nxitet nga interesa gjeopolitike dhe komerciale, duke rritur rrezikun e abuzimit me teknologjinë.

Ai kërkoi që pronësia e të dhënave të inteligjencës artificiale të mos mbetet vetëm në duart e kompanive private dhe u bëri thirrje qeverive të vendosin rregulla të forta ligjore, mbikëqyrje të pavarur dhe masa për mbrojtjen e punëtorëve dhe fëmijëve.

Sipas Papës, inteligjenca artificiale duhet të “çlirohet nga logjikat e dominimit” dhe të vihet në shërbim të së mirës së përbashkët, duke e krahasuar ndikimin e saj potencial me atë të energjisë bërthamore.

Ai gjithashtu paralajmëroi kundër përdorimit të inteligjencës artificiale në sistemet e armatimit, duke theksuar se vendimet vdekjeprurëse nuk duhet t’i besohen kurrë algoritmeve dhe se lufta nuk mund të justifikohet moralisht nga teknologjia.

Dokumenti, i cili përmban dhjetëra mijëra fjalë, trajton gjithashtu ndikimin social dhe ekonomik të AI-së, përfshirë rrezikun e humbjes së vendeve të punës dhe nevojën për shpërndarje më të drejtë të përfitimeve teknologjike.

Shpërndaje në rrjete sociale