KFF Mitrovica feston titullin e shtatë të kampionit

20:17 | 25 Maj 2026
D.H

Klubi i Futbollit të Femrave Mitrovica ka festuar sot titullin e kampionit në Superligë, duke kurorëzuar një tjetër sezon të jashtëzakonshëm me dominim të plotë në futbollin e femrave.

Në ndeshjen e xhiros së fundit të kampionatit, Mitrovica shënoi fitore bindëse ndaj Malishevës, me rezultat 4:0, për ta mbyllur edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Pas përfundimit të takimit u zhvillua ceremonia zyrtare e ndarjes së trofeut, ku medaljet dhe kupën e kampionit i ndanë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci dhe drejtori gjeneral i kompanisë Siguria, Fitim Rexhepaj.

Mitrovica e përfundoi sezonin në vendin e parë me 48 pikë, duke lënë pas Dukagjini me 35 pikë.

Ky është titulli i shtatë kampion në historinë e klubit mitrovicas, sukses që vjen si rezultat i punës së palodhshme, profesionalizmit, përkushtimit dhe vazhdimësisë së standardeve të larta që ky klub po demonstron ndër vite.

Suksesi i këtij edicioni bëhet edhe më i veçantë pasi krahas ekipit të parë, edhe gjeneratat e reja të klubit kanë shkëlqyer, duke u shpallur kampione në Ligën U13/U15.

Kjo dëshmon qartë përkushtimin e klubit në zhvillimin e talenteve të reja dhe ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për futbollin e femrave./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale