Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin përmbyllës në tubimin e partisë në Prishtinë, duke e cilësuar këtë moment si fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën, të ndërtuar mbi bashkim, dinjitet dhe besim në të ardhmen.
Në fjalën e saj, Osmani tha se fushata elektorale ka qenë një udhëtim në mbarë vendin, gjatë të cilit janë dëgjuar nga afër shqetësimet dhe pritjet e qytetarëve.
“Për të mbyllur këtë fushatë, por në të njëjtën kohë për të hapur një kapitull krejtësisht të ri të historisë sonë. Një kapitull të bashkimit, një kapitull të dinjitetit të rifituar. Një kapitull ku Kosova ecën përpara, e lirë, e bashkuar dhe sy-patrembur për të ardhmen e saj”, deklaroi ajo.
Duke kujtuar vizitat në qytete dhe fshatra të ndryshëm të Kosovës, Osmani tha se ka takuar qytetarë që përballen me sfida të shumta, por që vazhdojnë të mbajnë gjallë shpresën për një të ardhme më të mirë.
“Kemi udhëtuar kudo në Kosovë këto ditë. Nga Prizreni deri në Mitrovicë, nga Peja deri në Gjilan, nga fshatrat e Drenicës deri në lagjet e Prishtinës. Kemi parë fytyrat e prindërve që zgjohen çdo mëngjes me frikën se fëmijët e tyre do të marrin rrugën e mërgimit. Kemi dëgjuar të rinjtë që ëndërrojnë një të ardhme këtu, në atdheun e tyre. Kemi dëgjuar gratë që punojnë ditë e natë dhe shpesh nuk u njihet merita e tyre”, tha ajo.
Sipas Osmanit, takimet me qytetarët kanë dëshmuar se Kosova ka potencial të madh dhe se njerëzit meritojnë më shumë se sa po përjetojnë aktualisht.
“Çdo takim kudo në Kosovë na ka treguar një gjë: Kosova meriton shumë më tepër sesa ajo që po e merr sot. Unë besimin e kam te ju, te forca, mençuria dhe vendosmëria e këtij populli”, u shpreh ajo.
Ajo foli edhe për sfidat me të cilat, sipas saj, është përballur LDK-ja ndër vite, duke theksuar se partia ka mbijetuar falë mbështetjes së qytetarëve.
“Ka nga ata që menduan se na rrëzuan përgjithmonë, se kjo lëvizje u lodh, se kjo frymë u shua. Por ata nuk e kuptuan se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është ngritur mbi pushtet, por mbi besimin e njerëzve si ju. Prandaj nuk shuhet asnjëherë”, tha Osmani.
Në fund të fjalimit, ajo tha se historia politike e Kosovës ka treguar se qytetarët kanë ditur gjithmonë të ringrihen përballë sfidave.
“Sa herë që na kanë nënvlerësuar, ne kemi triumfuar. Sa herë që kanë menduar se nuk mundemi, kemi dëshmuar të kundërtën. Sa herë që kanë menduar se thyhemi, jemi ringritur më të fortë. Sa herë na kanë sulmuar, jemi bashkuar më fort. Dhe ja ku jemi sot, më të bashkuar, më të fortë dhe më të vendosur se kurrë më parë”, përfundoi ajo.
Rritet në 452 numri i rasteve me Ebola në Kongo, 82 viktima
Arsenali futet në garë për Ander Barrenetxea
Kurti: Zgjedhjet ishin të panevojshme, por tash votimi është...
Dua Lipa dhe Callum Turner nisin festimet e dasmës në Palerm...
Kosovari shpallet fajtor për zjarrvënie në Ulqin, dënohet me...
Autoritetet ndalojnë 50 mijë euro të padeklaruara në Durrës