Me qëllim të diskutimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, me iniciativë të Koordinatores për rastet e dhunës në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit Laura Pula dhe Koordinatorit të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave Burhan Maxhuni, sot u mbajt një takim në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Sipas njoftimit, pjesëmarrës në takim ishin U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Njazi Rexha, prokurorja – koordinatore për rastet e dhunës në familje Ajtene Zoni dhe stafi i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, transmeton Arbresh.info.
Ky takim u fokusua në adresimin e sfidave aktuale në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të dhunës në familje, si dhe në përmirësimin e mbështetjes për rastet e viktimave të krimit përmes masave mbrojtëse dhe ndihmës së specializuar.
“Koordinatorja për rastet e dhunës në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit Laura Pula theksoi rëndësinë e një qasjeje të unifikuar mes institucioneve për të garantuar trajtim të shpejtë dhe efikas të rasteve, duke siguruar mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e autorëve të dhunës. Koordinatori i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave Burhan Maxhuni vuri në pah nevojën për mbështetje të vazhdueshme psiko-sociale dhe ligjore për viktimat e krimit , si dhe rëndësinë e zbatimit efektiv të masave mbrojtëse për të parandaluar rastet e përsëritura të dhunës”, thuhet në njoftim.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë U.D. Njazi Rexha konfirmoi angazhimin e institucionit për trajtimin me prioritet të këtyre rasteve, duke theksuar rëndësinë e koordinimit mes prokurorisë, policisë dhe institucioneve mbështetëse për të siguruar një sistem më efikas dhe të drejtë për viktimat e dhunës në familje.
Në përfundim të takimit, palët u akorduan për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe ndëshkimit të dhunës në familje./Arbresh.info
Tërmeti godet Iranin, raportohet lëkundje pranë Teheranit
Hoxha Osman Musliu në listën e VV-së për deputet, e publikon...
Raporti i Eurostat, sa është numri i shqiptarëve të kthyer n...
Rritet bilanci i viktimave nga sulmet izraelite në Liban, 2,...
Gabimi i rëndë i portierit ia prish festën Ronaldos, titulli...
Lista zyrtare e kandidatëve të LDK-së për deputetë