Pronat, problem për integrimin: Rama pranon vështirësitë, Europa kërkon zgjidhje

15:20 | 26 Maj 2026
A Z

Pronat, problem për integrimin: Rama pranon vështirësitë, Europa kërkon zgjidhje

Çështjet e pronësisë janë ndër shqetësimet kryesore që Bashkimi Europian ka me Shqipërinë, për shkak të paqartësisë së akteve, mungesës së pasqyrimit të tyre në regjistra, të dhënave kadastrale të ruajtura manualisht në letra, si dhe mospërputhjes së tyre me realitetin në terren.

Ky shqetësim i BE-së është pjesë e grup-kapitullit të themeloreve në negociatat e anëtarësimit për vendin tonë. Gjatë konferencës rajonale të mbajtur në Tiranë për pronat dhe integrimin, përfaqësuesi i BE-së dha edhe një herë detyrat që duhet të plotësojë Shqipëria, ndërsa Këshilli i Europës tregoi se cili është çelësi i zbatimit të reformave.

Kryeministri Rama e pranoi që çështja e pronave është një sfidë për vendin tonë, duke u justifikuar edhe me problemet e trashëguara para 13 vitesh, por me shpresën që teknologjia do t’i vijë në ndihmë.

Shefi i qeverisë solli në vëmendje që vendimet e gjykatave për pronat e kanë rënduar buxhetin e shtetit. Përgjigjen për këtë ankesë ia dha përfaqësuesja e Këshillit të Europës, duke i kërkuar që të ekzekutohen vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare.

Sipas kushteve të vendosura nga BE në raportin e IBAR-it, Shqipëria ka afat për regjistrimin dhe digjitalizimin e pronave nga viti 2026, deri në afatin tjetër përfundimtar për një sistem të plotë brenda vitit 2030.