Këshilli Prokurorial i Kosovës ka sqaruar se propozimi i bërë në vitin 2022 për emërimin e kryeprokurorit të Shtetit nuk konsiderohet më aktiv për qëllime emërimi nga presidenti i Republikës së Kosovës.
Sipas KPK-së, emërimi i kryeprokurorit të Shtetit bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, përmes propozimit nga Këshilli Prokurorial dhe dekretimit nga presidenti. Megjithatë, procesi i vitit 2022 nuk u finalizua, pasi nuk u nxor dekret presidencial për emërimin e kandidatit të propozuar.
“KPK-ja thekson se propozimi i vitit 2022 për emërimin e kryeprokurorit të Shtetit nuk ka rezultuar në emërim, pasi nuk është nxjerrë asnjë dekret presidencial dhe asnjë kandidat nuk ka fituar të drejtën për ushtrimin e detyrës së kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.
Këshilli vlerëson se mungesa e një kryeprokurori me mandat të plotë që nga prilli i vitit 2022 ka krijuar pasiguri institucionale dhe ligjore, duke ndikuar në funksionimin dhe kredibilitetin e sistemit prokurorial.
Në reagim përmenden edhe raportet e Komisionit Evropian për vitet 2023, 2024 dhe 2025, në të cilat është kërkuar që procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të zhvillohet në mënyrë transparente, meritokratike dhe brenda afateve të arsyeshme.
KPK-ja thekson se ka marrë parasysh edhe qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, të cilat kanë kërkuar një proces të drejtë, transparent dhe të bazuar në meritë.
Po ashtu, në deklaratë përmenden edhe organizatat e shoqërisë civile si Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja FOL, INPO dhe Instituti Demokratik i Kosovës, të cilat kanë kërkuar vazhdimisht një proces të ri dhe të ligjshëm për zgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas KPK-së, ky sqarim nuk nënkupton anulim të konkursit të vitit 2022 dhe nuk paragjykon asnjë kandidat, por synon të krijojë qartësi institucionale dhe siguri juridike për zhvillimin e një procesi të ri.
Këshilli ka inkurajuar të gjithë prokurorët që plotësojnë kushtet ligjore të aplikojnë në konkursin e ri për Kryeprokuror të Shtetit, i cili është hapur më 18 maj dhe do të mbetet i hapur deri më 10 qershor 2026.
S’shkoi në punë për 4 vjet dhe e mori pagën të plotë, ngrihe...
7 viktima nga vapa në Francë, vala e të nxehtit përfshin edh...
SPAK jep detaje për aksionin me anti-mafian italiane, arrest...
Përplasje mes një automjeti dhe kamionetës së FSK-së, tre të...
Drogë në pampersin e një fëmije, dështon tentimi për futjen ...
Haradinaj nderon Dr. Rexhep Tafën, vendoset pllakë përkujtim...