Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një sqarim për mungesën e shiritit ngjitës në pakon e votimit përmes postës duke thënë se për këtë u ngritën shqetësime nga disa votues jashtë Kosovës.
KQZ tha se mungesa e një shiriti shtesë ngjitës nuk e cenon vlefshmërinë e fletëvotimit.
“KQZ njofton se, ashtu si në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën në dhjetor të vitit 2025, edhe në zgjedhjet aktuale të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, nuk është paraparë përdorimi i shiritit ngjitës të KQZ-së, i cili ishte përdorur në Zgjedhjet Lokale 2025. Procesi i votimit me postë zhvillohet në atë mënyrë që votuesi e vendos fletëvotimin në zarfin e fshehtësisë, i cili mbyllet me ngjitësin standard që e posedon vet zarfi”, thuhet në këtë deklaratë.
KQZ tha se vazhdimisht ka ndërmarrë masa sigurie në procesin e votimit jashtë vendit dhe një e tillë, nga Zgjedhjet Lokale 2025 dhe në proceset zgjedhore në vazhdim, është pikërisht dërgimi nga KQZ i pakos me fletëvotimin e shtypur dhe materialet tjera përcjellëse në adresë të votuesve të regjistruar.
“Fletëvotimet të cilat janë të vendosura në pakon individuale, janë fletëvotime që përmbajnë elementet e sigurisë, të ngjashme me fletëvotimet që përdoren në Kosovë, në procesin e votimit në vendvotime. Këto elemente sigurie janë të përcaktuara nga KQZ në Rregulloren Zgjedhore për fletëvotimet dhe broshurat. Ato përmbajnë së paku tri veçori të sigurisë, të cilat i bëjnë ato të mbrojtura nga kopjimi apo falsifikimi. Këto veçori përfshijnë mikroshtypin, UV printin dhe elementin “anti-copy”, i cili shfaq shenjë dalluese në rast se tentohet kopjimi i fletëvotimit”.
Po ashtu, KQZ tha se secili fletëvotim që u është dërguar votuesve jashtë Kosovës për votim përmes postës, është i vulosur në pjesën e pasme me vulë ngjyrë të zezë.
“Pra, vula e vendosur në këto fletëvotime është me ngjyrë të zezë dhe nuk do të thotë se fletëvotimi është kopje. Përveç këtyre elementeve, votimi me postë sigurohet edhe me pajisjen e votuesve me dëftesën e regjistrimit, një dokument unik që KQZ ua dërgon çdo aplikuesi pasi arrin regjistrohet suksesshëm si votues jashtë Kosovës”.
Në mënyrë që procesi i votimit përmes postës të jetë i vlefshëm, KQZ tha se votuesit duhet të ndjekin udhëzimet e saj, si në vijim:
· Plotësoni fletëvotimin;
· fletëvotimin e plotësuar vendoseni në zarfin e fshehtësisë;
· zarfin e fshehtësisë me fletëvotimin brenda dhe dëftesën e regjistrimit vendoseni në zarfin kthyes;
· mbi zarfin kthyes, shënoni adresën e kutisë postare; dhe
· vendoseni pullën postare (nëse aplikohet në shtetin ku jetoni) dhe dërgojeni zarfin në postë.
Në fund, KQZ ftoi për vëmendje votuesit përmes postës se pako e tyre me fletëvotim duhet të jetë individuale dhe duhet të arrijë në kutinë postare të vendit përkatës më së largu deri më 6 qershor 2026.
Vuçiq përballet me presion në rritje pas protestave studento...
KFOR-i riafirmon përkushtimin për sigurinë në Kosovë
Keith Self: Të zbatohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni...
Të shtëna me armë në Breg të Diellit, Policia konfirmon vdek...
Aksident në hyrje të tunelit të Kalimashit, raportohet për t...
Krisma armësh në Prishtinë, dyshohet për një të plagosur