Berisha: Të drejtat e shqiptarëve në Luginë të jenë të barabarta me ato të minoriteteve në Kosovë

12:01 | 19 Nëntor 2022 | Ejona Hyseni

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, Elmi Berisha, gjatë vizitës njëditore që i bëri Medvegjës të mërkurën, ka folur edhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

Berisha në një intervistë për arbresh.info, ka treguar pse ka zgjedhur pikërisht Medvegjën për ta vizituar.

“Për disa arsyeje. E para është shumë emocionale sepse shumë veprimtarë të çështjes kombëtare vinë nga kjo anë dhe unë kam pasur nderin të punoj me ta. Një ndër që shkëlqen për të mirat që i ka sjell kombit shqiptarë e në veçanti Kosovës dhe shtetit të pavarur të Kosovës është Xhim Xhema, që koicidon të jetë nga Medvegja dhe fshatit Topallë. Prandaj kem filluar këtu sepse edhe migrimi i qytetarëve këtu është më i madh zbrazja do të thotë dhe kam qeft e shoh nga  vet perspektiva ime se si dhe kah po kalojnë proceset, që të jem më të saktë në veprimet tona në Uashington”, deklaroi ai.

Por, si iu duk Medvegja, dhe sa u nda i kënaqur me takimet e thotë vet Berisha.

Sipas tij, ka ardhur koha që të drejtat e shqiptarëve në këtë pjesë të Kosovës Lindore të jenë të gjitha të barabarta dhe të njëjta dhe të ecin përpara me integrimet e Bashkimit Evropian.

“Jam i fasionuar, shumë i kënaqur. Shqiptarët jetojnë më një territor shumë të gjerë në këtë pjesë të shqiptarisë dhe besoj se ka ardhur koha që të drejtat e tyre elementare dhe pse mos me thanë edhe të drejtat e çdo minoriteti që tani janë në bisedime e sipër për të ardhmen e tyre në Ballkanin Perëndimorë të jenë të gjitha të barabarta dhe të njëjta dhe të ecim përpara me integrimet tona si popuj në Bashkimin Evropian dhe në proceset e tjera mbarë kombëtare”, tha ai.

Ai, foli edhe për kompaninë e tekstilit të biznesmenit shqiptar, të cilën e vizitoi dhe për të cilën premtoi përkrahje.

“Ishin shumë premtuese do të thotë ishte një kompani që premton shumë besoj që do të bëjmë ç’ është e mundur që ti ndihmojmë në kërkimin e shitjeve të cilat kjo kompani i ofron e tekstilit”, shtoi tutje ai.

Krejt në fund, Berisha potencoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të përqendrohen më shumë duke mos munguar edhe mbështetja e “Vatrës” për këtë pjesë.

“Unë mendoj që kjo është kohë shumë e rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve që jetojnë në këtë pjesë të Ballkanit. Mendoj që Kosova duhet të përqendrohet pak më shumë, po ashtu edhe Tirana zyrtare. Ne do të ofrojmë mbështetje të fuqishme të të drejtave të qytetarëve të Luginës dhe mendoj që të drejtat e qytetarëve në Luginë të jenë të barabarta me qytetarët dhe minoritetet e tjera që jetojnë në Kosovë”, tha në fund Berisha.

Vatra është organizata më jetëgjatë e shqiptarëve të Amerikës, e cila vazhdon të botojë Gazetën Dielli, që është gazeta më e vjetër shqiptare./ Ejona Hyseni/ arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale