Rama vizitë 4-ditore në Korenë e Jugut, takim me kryeministrin Minseok dhe CEO-n e Samsung

10:49 | 18 Maj 2026
E.H

Kryeministri Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Korenë e Jugut, (17–21 maj), i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, dhe delegacioni.

Vizita synon thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si edhe zgjerimin e partneritetit, në fusha me interes të ndërsjellë për zhvillimin, teknologjinë dhe inovacionin.

Në mbërritjen e tij në Seul, Kryeministri Rama do të jetë i ftuar në një darkë mirëseardhjeje të organizuar nga Qendra për Lidershipin Aziatik dhe Klubi Harvard i Koresë, organizata të angazhuara në promovimin e lidershipit, arsimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Azi.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të politikës, qeverisë dhe biznesit korean, ndërsa Kryeministri do të zhvillojë edhe takime me Kryeministrin e Republikës së Koresë, Kim Minseok, si dhe me CEO-n e Samsung, Lee Jae-yong.

Në ceremoninë hapëse te Konferencës prestigjioze të Lidershipit Aziatik, Kryeministri Rama do të mbajë një fjalë përshëndetëse përkrah personaliteteve të rëndësishme ndërkombëtare, mes tyre edhe Kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Minseok.

Më pas kryeministri Rama do të jetë i ftuar i veçantë në panelin me temë “Bisedë me një udhëheqës: Një epokë e transformimit të madh: strategjia e madhe e një kombi të vogël”, ku do të trajtojë sfidat e reja globale nga perspektiva e Ballkanit Perëndimor, strategjitë e vendeve të vogla përballë ndryshimeve gjeopolitike, si edhe rolin e inteligjencës artificiale dhe inovacionit digjital në qeverisje.

Axhenda e vizitës përfshin edhe një sërë takimesh me drejtues të kompanive më të mëdha koreane, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri. Në kuadër të vizitës, Kryeministri Rama do të marrë pjesë gjithashtu në një dialog ekskluziv me liderët e rajonit Azi-Paqësor (APAC).

Shpërndaje në rrjete sociale