Vritet komandanti i lartë i Hezbollahut

18:05 | 1 Prill 2026
Q L

Ushtria e Izraelit ka deklaruar këtë të mërkurë se ka vrarë komandantin e lartë të Hezbollah-ut, Haj Youssef Ismail Hashem, në goditjen më të madhe ndaj grupit që nga shpërthimi i luftimeve të reja me Izraelin në fillim të muajit të kaluar.

Marina izraelite vrau Hashem-in, komandantin e frontit jugor të Hezbollah-ut, tha zëdhënësi i ushtrisë Avichay Adraee në një deklaratë në X.

Hezbollah më vonë konfirmoi vdekjen e tij në një deklaratë të mërkurën, duke e quajtur atë një “pishtar të Rezistencës Islame.”

Vdekja e tij konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha që ka pësuar grupi që nga vrasja e shefit të shtabit Haytham Ali Tabtabai në nëntor të vitit 2025.

Reuters shkruan se Hezbollah, i mbështetur nga Irani, ka humbur shumicën e komandantëve të tij të lartë pas luftës së fundit me Izraelin që zgjati nga tetori i vitit 2023 deri në nëntor të vitit 2024. Hashem kishte trashëguar postin nga Ali Karaki, i vrarë së bashku me ish-udhëheqësin Hassan Nasrallah në një sulm izraelit në shtator 2024.

“Ai është një komandant i nivelit të parë dhe kjo është goditja më e rëndë që kemi pësuar që nga vrasja e Tabtabai,” tha një zyrtar i lartë i Hezbollah për Reuters.

Haytham Ali Tabtabai u emërua shef i shtabit pas luftës së vitit 2024 me Izraelin. Ai u vra në periferi të kryeqytetit Beirut në një operacion që kishte në shënjestër grupin pas një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin që i dha fund luftimeve.

Pauza e dhunës rezultoi jetëshkurtër. Gjatë armëpushimit Izraeli shënjestroi komandantë dhe operativë të Hezbollah-ut në gjithë Libanin. Luftimet rinisën në fillim të muajit të kaluar pasi Hezbollah lëshoi raketa ndaj Izraelit, duke nxitur një kundërpërgjigje që u zgjerua në një luftë të plotë.

Që atëherë, mbi 1.2 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Liban dhe sulmet izraelite kanë vrarë mbi 1 mijë e 260 persona, sipas autoriteteve libaneze.

Më shumë se 400 luftëtarë të Hezbollah-ut janë vrarë që nga 2 marsi, thanë për Reuters dy burime të njohura me numërimin e grupit.

Dhjetë ushtarë izraelitë janë vrarë në Libanin jugor që nga 2 marsi, sipas ushtrisë izraelite.

Sulmi i Izraelit që kishte në shënjestër Hashemi-n vrau shtatë persona dhe plagosi 26 të tjerë.

Takim me komandantë të tjerë

Hashem kishte qenë duke u takuar me komandantë të lartë kur u vra.

“… një ekip po monitoronte qiellin për dronë ose avionë lufte dhe sulmi erdhi nga anijet luftarake, gjë që nuk ishte parashikuar,” shtoi burimi. “Një grup komandantësh të nivelit të dytë dhe të tretë dhe disa shoqërues u vranë së bashku me të.”

Talal Atrissi, profesor i sociologjisë në Universitetin Libanez dhe analist i afërt me Hezbollah, tha se vrasja e Hashem-it ka gjasa të mos ndikojë në sjelljen e grupit në fushëbetejë.

“Është sigurisht një humbje për Hezbollah-un dhe rezistencën, por siç kemi parë, ata kanë një numër dy dhe një numër tre që mund ta zëvendësojnë,” tha ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale