Pas gati dy dekadash në arrati, një tatuazh e çoi në pranga një shqiptar të dënuar me 10 vite burg.
Durim Lusha, 52 vjeç, u identifikua dhe u arrestua nga autoritetet italiane ndërsa ndodhej në një bar pranë një stacioni karburanti në periferi të Tavianos, në rajonin e Leçes.
Ajo që i dha fund arratisë së tij ishte një tatuazh karakteristik në parakrahun e djathtë, që tregon një figurë gruaje gjysmë të zhveshur, të cilën karabinierët e kishin regjistruar dhe e mbanin mend që nga hetimet e dikurshme.
Edhe pse Lusha kishte ndryshuar emrin në pasaportë, nga Durim në Elidon, kjo nuk mjaftoi për të shmangur njohjen dhe arrestimin. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2006, kur Gjykata e Apelit e dënoi përfundimisht me 10 vite burg për përfshirje në një rrjet të strukturuar kriminal italo-shqiptar që merrej me trafikimin dhe shfrytëzimin e vajzave në prostitucion.
Aktivitetet kriminale të këtij grupi datojnë në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000. Ndaj tij rëndojnë disa akuza, përfshirë pjesëmarrjen në organizatë kriminale si promotor kryesor, nxitjen dhe shfrytëzimin e prostitucionit, por edhe skllavërinë.
Pas dënimit, Lusha u zhduk pa lënë gjurmë, duke i shpëtuar autoriteteve për afro 20 vite. Ai arriti të fshihej duke përdorur identitetin e rremë dhe duke u zhvendosur brenda Italisë, ku më në fund u lokalizua në Taviano. Në momentin e arrestimit, ai u përpoq të bindte oficerët se jetonte në Milano dhe u tregoi atyre pasaportën me emrin e ri. Megjithatë, verifikimet e shpejta të policisë zbuluan identitetin e tij të vërtetë.
Tashmë, 52-vjeçari ndodhet në burgun e Borgo San Nicola, në periferi të Leçes, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit. Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë për të identifikuar personat që mund ta kenë ndihmuar të qëndrojë në arrati për një periudhë kaq të gjatë. (A2 Televizion)
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...
Ankandi i Titanik/ Jeleku i shpëtimit i anijes ‘fatkeqe’ shi...
Anijet turistike zvicerane dhe gjermane largohen nga Ngushti...
Netanyahu: Situata me Iranin nuk ka përfunduar
Muriqi për humbjen nga Turqia: Ëndrra ime u shua për 90 minu...
Rruga “Dardania” në Fushë Kosovë ende larg përfu...