Çeku dhe Bogujevci presin finalistët e Olimpiadës Kosovë–Shqipëri për Gjuhën Shqipe

23:44 | 5 Qershor 2026
E H

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, kanë pritur sot finalistët e Olimpiadës së përbashkët Kosovë–Shqipëri për Gjuhën Shqipe për nxënësit e klasave të nënta.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, dy ministrat kanë ndarë certifikata për tetë finalistët nga Kosova, të cilët janë renditur në tri vendet e para të kësaj gare, ku kanë marrë pjesë gjithsej 21 finalistë nga Kosova dhe Shqipëria.

Ministri Çeku ka përgëzuar nxënësit për rezultatet e arritura, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit të tyre në avancimin e njohurive për gjuhën shqipe dhe ruajtjen e identitetit gjuhësor. Ai ka vlerësuar se suksesi i tyre dëshmon potencialin e madh të të rinjve dhe rëndësinë e bashkëpunimit arsimor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Nga tetë finalistët nga Kosova, një nxënës është renditur në vendin e parë me mbi 85 për qind të pikëve, dy nxënës kanë zënë vendin e dytë me 75 deri në 85 për qind, ndërsa pesë të tjerë janë renditur në vendin e tretë me 65 deri në 75 për qind të pikëve.

Olimpiada e përbashkët Kosovë–Shqipëri për Gjuhën Shqipe synon të nxisë dashurinë për gjuhën amtare, të promovojë kulturën gjuhësore dhe të forcojë bashkëpunimin arsimor ndërmjet dy vendeve./Arbresh.info