Përplasje e ashpër mes Vuçiqit dhe kryeministrit të ri hungarez

11:17 | 14 Prill 2026
E.K

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është bërë udhëheqësi i parë i huaj që është përplasur publikisht me kryeministrin e sapozgjedhur të Hungarisë, Peter Magyar, vetëm një ditë pas zgjedhjeve parlamentare në këtë vend.

Partia Tisza arriti një fitore dërrmuese, duke i dhënë fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbán, i cili kishte ruajtur marrëdhënie të ngushta politike me Vuçiç gjatë gjithë kësaj periudhe.

Gjatë një interviste për transmetuesin shtetëror serb, Vuçiç i hodhi poshtë deklaratat e mëparshme të Magyarit, duke i cilësuar ato si “budallallëqe”. Reagimi erdhi pasi lideri hungarez sugjeroi se kishte njohuri për prapaskenat e një aleance politike që përfshin Orbán, kryeministrin sllovak Robert Fico dhe vetë Vuçiçin.

Në një konferencë ndërkombëtare për shtyp, Magyar deklaroi se ishte në dijeni të zhvillimeve politike në Serbi dhe marrëdhënieve midis liderëve rajonalë, duke shtuar se kishte edhe një ide se “kush qëndron pas këtyre miqësive të mëdha”.

Vuçiç reagoi ashpër ndaj këtyre pretendimeve, duke sfiduar publikisht Magyarin të japë përgjigje konkrete. Ai la të kuptohet se deklaratat e tilla mund të aludonin për përfshirjen e Vladimir Putin, por i cilësoi ato si të papërgjegjshme.

Presidenti serb shtoi se, nëse nuk do të ishte i kujdesshëm për marrëdhëniet me Hungarinë dhe komunitetin hungarez në Serbi, do ta kishte dënuar edhe më ashpër deklaratën e kryeministrit të ri hungarez.