Trump rrit presionin, paralajmëron tarifa për vendet që nuk pranojnë marrëveshje

07:22 | 8 Korrik 2025
E.K

Presidenti amerikan Donald Trump po rrit presionin ndaj vendeve partnere për të përshpejtuar arritjen e marrëveshjeve tregtare, ndërsa afati i pezullimit të tarifave të reja po i afrohet fundit.

Sipas këshilltarëve të Shtëpisë së Bardhë, Trump mund të bëjë koncesione të reja, por gjithçka mbetet në dorën e tij. Afati 90-ditor për pezullimin e tarifave skadon më 9 korrik, ndërsa aplikimi i tyre do të nisë më 1 gusht.

“Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë të hapura për dialog. Por kur afatet skadojnë, presidenti vendos nëse do të ketë zgjatje apo jo”, deklaroi Kevin Hassett, drejtor i Këshillit Kombëtar Ekonomik.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Stephen Miran, kreu i grupit të këshilltarëve ekonomikë, i cili konfirmoi se koncesione të tjera janë të mundshme, por nën presion.

Shtëpia e Bardhë pritet të dërgojë letra zyrtare vendeve të interesuara, duke i njoftuar për aplikimin e tarifave. Kjo lëvizje ka shtuar pasigurinë për bizneset dhe partnerët tregtarë të SHBA-së, të cilët nuk e dinë ende nëse do të përfshihen në këtë valë të re tarifash.

Tarifat e shpallura më 2 prill kishin ngritur shqetësime për ndikimin negativ në ekonominë globale, duke shkaktuar rënie të tregjeve financiare. Si pasojë, Uashingtoni pezulloi zbatimin për 90 ditë. Deri më tani, marrëveshje të plota janë arritur vetëm me Mbretërinë e Bashkuar dhe Vietnamin.

“Kush bashkohet me BRICS, përballet me 10% tarifë shtesë” – Trump paralajmëron vendet anti-amerikane

Në një tjetër deklaratë të ashpër, presidenti Trump paralajmëroi se çdo vend që bashkohet me politikat anti-amerikane të grupimit BRICS do të përballet me një tarifë shtesë prej 10 për qind.

“Çdo vend që rreshtohet me politikat anti-amerikane të BRICS do të përballet me një tarifë shtesë 10%. Nuk do të ketë përjashtime,” shkroi Trump në rrjetet sociale.

BRICS, grupim ku bëjnë pjesë Kina, India, Rusia, Brazili dhe Afrika e Jugut, është shpesh në fokus të kritikave të Trumpit. Presidenti amerikan e ka konsideruar këtë grup si një sfidë të drejtpërdrejtë për interesat ekonomike të SHBA-së.

Nga ana tjetër, Rusia ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit amerikan, duke theksuar se BRICS “nuk është i orientuar kundër asnjë vendi” dhe promovon një rend botëror shumëpalësh dhe të drejtë./euronews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme