Tokat po “marrin jetë” / Çfarë dihet për vrasjen e rëndë në Skenderaj?

11:15 | 13 Shkurt 2025
E.H

Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së mërkurës qytetin e Skenderajt.

Rreth orës 13:50 si pasoj e të shtënave me armë zjarri brenda një kafiterie në rrugën “Salë e Hamit Jashari”, një 42-vjeçar ka humbur jetën.

Raportimet e para janë se viktima Ismet Ibishi, ishte prind i pesë vajzave, ndërsa motivi i vrasjes dyshohet të jetë për çështje të tokës. Po ashtu burime të Arbresh.info kanë bërë të ditur se viktima dhe të dyshuarit janë kushërinj mes vete.

Të dyshuarit, janë Hisni Ibishi 62-vjeçar dhe djali i tij, 33 vjeçari B.I.

Në njoftimin zyrtarë të Policisë së Kosovës nuk është bërë i ditur motivi i kësaj vrasje.

“Me 12 shkurt 2025, rreth orës 13:50 policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri. Bazuar ne hetimet fillestare të shtënat kanë ndodhur brenda një lokali në rrugën ”Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj, ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit dhe plagëve të pësuara ka humbur jetën viktima I.I., mashkull i moshës rreth 42 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

LEXO EDHE:

Pamje nga vendi i ngjarjes ku mbeti i vrarë një 42 vjeçar në Skenderaj

Policia e ka cilësuar rastin si “Vrasje e rëndë” , ndërsa menjëherë pas ngjarjes, nga hetimet fillestare është arritur të identifikohen dy persona të dyshuar me inicialet H.I dhe B.I të cilët kishin ikur nga vendi i ngjarjes dhe kanë qenë në kërkim policor për disa orë.

Pas veprimeve hetimore, policia ka realizuar bastisje në shtëpinë e njërit të dyshuar Hisni Ibishi 62-vjeçarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë, një karikator me 30 fishekë e gjithashtu edhe 15 fishekë të një kalibri tjetër.

Ndërsa pas bastisjes është arrestuar i dyshuari i lartcekur, tek i cili janë gjetur dhe konfiskuar tri armë-revole, kurse kërkimet po vazhdonin edhe për arrestimin e të dyshuarit të dytë.

“…Ndërsa në cilësi të të dyshuarit është arrestuar i dyshuari H.I.,62 vjeçar të cilit i janë konisfkuar tri armë-revole, ndërsa në kërkim policor mbetet edhe një person tjetër i dyshuar. Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.

LEXO EDHE:

Arrestohet një i dyshuar për vrasjen në Skenderaj

Ndërkaq në orët e vona të mbrëmjes policia ka arritur të arrestojë në Prishtinë edhe të dyshuarit e dytë me inicialet B.I 33-vjeçar dhe tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.

“I dyshuari B.I., mashkull, 33 vjeç është arrestuar në Prishtinë dhe tek ai janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale të cilat ndërlidhen me rastin. Në këtë rast, hetuesit në koordinim me prokurorin janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme proceduralo-hetimore për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

LEXO EDHE:

Raportohet për një person të vrarë në Skenderaj

Ndryshe Ismet Ibishi, personi që mbeti i vrarë me armë zjarri në një lokal në Skenderaj është nip i ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i Hysni Gucatit.

Kështu ka njoftuar vetë Gucati, duke u shprehur i prekur thellë nga vdekja e Ibishit.

“Nipi ynë Ismet, lajmi për vdekjen tënde na preku thellë të gjithë, u largove nga kjo botë në vitet e tua më të mira, ishe ai djali energjik, për të gjithë gjeje kohë, humori yt ishte brilant, kështu si të njohëm do të mbajmë mend për atë djalin më humorin më të mirë dhe më një zemër të pastër”, thuhet në postimin e Gucatit.

Policia ka bërë të ditur se hetuesit në koordinim me prokurorin janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme proceduralo-hetimore për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme