Inter i mbyll derën edhe njëherë tjetër gjigantit turk për Calhanoglun

21:34 | 8 Qershor 2026
D.H

Fenerbahçe vazhdon të ëndërrojë transferimin e Hakan Çalhanoğlu, por qëndrimi i Inter mbetet i pandryshuar se mesfushori nuk është në shitje.

Pas rikthimit të Aziz Yıldırım në krye të Fenerbahçes, raportimet nga Turqia bëjnë të ditur se drejtuesi i ri ka nisur kontaktet e para për të vlerësuar mundësinë e transferimit të kapitenit të kombëtares turke.

Interesimi për Çalhanoğlun nuk është i ri. Edhe gjatë muajve të fundit emri i tij ishte përdorur si një nga premtimet kryesore elektorale në garën për presidencën e klubit nga kandidati rival, por as ndryshimi në krye të Fenerbahçes nuk ka ndryshuar objektivin.

Mesfushori shihet si lojtari ideal për të udhëhequr projektin e ri sportiv të klubit nga Stambolli, veçanërisht pas suksesit të rivalëve të përjetshëm të Galatasaray në kampionatin turk.

Megjithatë, pengesa kryesore mbetet Interi. Klubi zikaltër nuk ka asnjë qëllim të heqë dorë nga një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Drejtuesit e Interit e konsiderojnë Çalhanoğlun si një element kyç në projektin sportiv dhe kanë refuzuar çdo tentativë afrimi nga klubet turke, ashtu siç vepruan edhe një vit më parë kur Galatasaray shfaqi interes për të.

Vendimi nuk është vetëm i drejtuesve, por edhe i trajnerit Cristian Chivu, i cili e sheh turkun si një nga shtyllat kryesore të ekipit për sezonin e ardhshëm.

Aktualisht, Çalhanoğlu ndodhet i grumbulluar me kombëtaren e Turqisë dhe është i fokusuar në rikuperimin fizik, ndërsa e ardhmja e tij vazhdon të mbetet te Interi, pavarësisht zërave të vazhdueshëm që vijnë nga Turqia./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale