Kryeqytetasit nuk i janë bindur masave për parandalimin e koronavirusit duke thyer vetëizolimin dhe duke lëvizur në rrugët e Tiranës si një ditë e zakonshme pushimi.
Nuk mungojnë as grumbullimet, ndonëse rreptësisht të ndaluara. Nisur nga kjo situatë e paprecedentë, Kryeministri Rama ka vendosur të përshkallëzojë më tej masat dhe penalitetet ndaj qytetarëve të papërgjegjshëm, duke ndaluar lëvizjet e këmbësorëve.
“Nga nesër dalja e këmbësorëve do të kufizohet vetëm në fashat orare 06.00 – 10.00 dhe 16.00 – 18.00. Nga nesër do të ndalohet dalja në këmbë rrugëve me persona të tjerë në krah. Shkelja e këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë 10.000 lekë për çdo person dhe shkelësit nuk do të marrin asnjë ndihmë shtetërore nga paketa financiare e solidaritetit në kushtet e kësaj lufte. Boll një pakicë e vogël fare individësh të papërgjegjshëm nuk mund të sabotojnë sakrificën e një populli të tërë, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të njerëzve të tjerë!”
Këmbësorëve që do të shkelin masat e reja të lëvizjes dhe që figurojnë në borderotë e shtetit si punonjës të administratës qendrore apo vendore, do t’u mbahet gjithashtu rroga për 3 muaj dhe në rast përsëritjeje do të largohen përfundimisht nga puna.
Por kjo nuk është e vetmja masë e ndërmarrë nga qeveria në aktin normativ. Nga e enjtja të gjithë punonjësit e administratës publike nuk do të lejohen të lëvizin me automjete për të shkuar në zyrë, në të kundërt do të ndëshkohen me mbajtjen e rrogës për 3 muaj dhe në rast përsëritje edhe me largimin përfundimtar nga puna.
“Nga nesër të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë së administratës qëndrore apo vendore që e kanë punën në zyrë nuk do të përdorin makinë për të shkuar në punë. Shkelja e këtyre masave, të cilat do të përfshihen nesër, së bashku me masat e reja për lëvizjen e këmbësorëve në aktin normativ do të ndëshkohet me mbajtjen e rrogës për 3 muaj dhe në rast përsëritje me largimin përfundimtar nga puna! Sot punonjësi i shtetit që shkel rregullat e luftës në mënyrë të përsëritur, nuk është një kundravajtës si të tjerët, po një dezertor në kuptimin e plotë të fjalës!”
Rama thotë se përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë, asaj të Mbrojtjes, Ministrisë së Financave apo të prefekturave e bashkive, që janë të përfshirë në listën prioritare me firmën e titullarit, për të garantuar zhvillimin e luftës sipas planit, në aspektin shëndetësor dhe humanitar.
Të gjithë këta titullarë duhet të çojnë tek ministri apo kryetari i bashkisë, listën e arsyetuar të punonjësve që e kanë të domosdoshme lëvizjen me makinë, emër për emër dhe të gjitha listat duhet t’i vihen në dispozicion jo më vonë se ora 23:00 Policisë së Shtetit./tvklan
Starmer sulmon FIFA-n: Po bën biznes të fëlliqur në kurriz t...
Lëvizja Vetëvendosje mban sonte tubimin përmbyllës zgjedhor ...
KQZ mban tri konferenca për media gjatë ditës së votimit në ...
Pacolli kritikon sistemin gjyqësor në Shqipëri: Po sfidohen ...
Sulme dhe kundërsulme: Irani dhe ShBA shkëmbejnë goditje në ...
E shtunë me diell dhe vranësira