Një anëtar i lartë i Gardës Revolucionare Iraniane tha të premten se raketat iraniane me rreze të shkurtër veprimi, mund t’i “arrijnë lehtësisht” anijet luftarake në Gjirin Persik. Komentet e tij u bënë publike prej agjencisë gjysmë zyrtare të lajmeve Fars.
Komentet e zëvendës shefit të Gardës Revolucionare Mohammad Saleh Jokar vijnë mes tensioneve në rritje me Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni e ka rritur praninë e tij ushtarake në rajon, duke dislokuar anije të tjera si dhe duke shtuar sanksionet ndaj Teherani.
Gjiri Persik konsiderohet si një nga rrugët ujore më strategjike në botë, nëpërmjet të cilave transportohet një e treta e sasisë së naftës që furnizon botën.
Mohammad Saleh Jokar tha se Shtetet e Bashkuara “nuk mund ta përballojnë koston e një lufte të re” dhe se një konflikt do të ndikonte negativisht në furnizimin botëror me naftë. “Nëse do të ketë luftë, bota do të vuajë”, tha ai.
Komentet e zëvendës shefit të Gardës Revolucionare vijnë pasi ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif është angazhuar në përpjekje intensive diplomatike për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të Iranit me fuqitë botërore. Gjatë një vizite në Kinë të premten, zoti Zarif kritikoi udhëheqësit botërorë duke thënë se “deklaratat mbështetëse” nuk janë të mjaftueshme për të shpëtuar marrëveshjen.
Vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe vendosën sanksione të ashpra të cilat e kanë dobësuar ekonominë e Iranit, përfshirë dhe një vendim për të ndërprerë eksportet iraniane të naftës. Pesë nënshkruesit e mbetur të marrëveshjes, Bashkimi Europian, Britania, Kina, Franca dhe Rusia, janë përpjekur ta ruajnë atë.
Javën e kaluar Irani paralajmëroi se do të rinisë pasurimin e uraniumit në nivele të larta nëse nuk arrihet një marrëveshje e re bërthamore deri më 7 korrik.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë publikisht se dëshiron një zgjidhje diplomatike, por zyrtarët iranianë nuk janë të bindur./VoA/
Mevlan Ademi: Nuk ka shtet të së drejtës pa barazi të gjuhës...
Iran-SHBA, synohet fundi i armiqësive me armëpushim të menjë...
Spiropali në mbështetje të studentëve në RMV: Gjuha shqipe ë...
“Ne flasim shqip, kërkojmë drejtësi”/ Rreth dy orë protestë,...
Kurti: Duhet mbi 84 vota për presidentin, 80-81 nuk mjaftojn...
Lajm fantastik për “bavarezët”, Harry Kane rikthehet nga lën...