Zbulohet kërkesa e parë e Mourinhos drejtuar bordit të Real Madridit

11:03 | 20 Maj 2026
D.H

José Mourinho po afrohet gjithnjë e më shumë me rikthimin në stolin e Real Madrid. Mediat ndërkombëtare raportojnë se portugezi është favorit absolut për të marrë drejtimin e “Los Blancos”, edhe pse ende nuk ka një zyrtarizim nga klubi madrilen.

Gjatë javëve të fundit janë përmendur shumë kandidatë për pankinën e Realit, si Jürgen Klopp, Mauricio Pochettino, Didier Deschamps dhe Lionel Scaloni, por sipas raportimeve, Mourinho ka mbetur emri më i favorizuar.

“The Special One”, i cili drejtoi Real Madridin nga viti 2010 deri më 2013, thuhet se është i entuziazmuar për një rikthim në “Santiago Bernabéu”. Megjithatë, ai ka vendosur edhe disa kushte për të pranuar ofertën.

Një nga kërkesat kryesore të Mourinhos është transferimi i mesfushorit danez Morten Hjulmand.

26-vjeçari është pjesë e Sportingut prej tri sezonesh dhe ka kontratë me klubin portugez deri në verën e vitit 2028. Sipas raportimeve, klubi nga Lisbona do të kërkojë rreth 50 milionë euro për kartonin e tij.

Mourinho e vlerëson lart mesfushorin danez dhe dëshiron ta ketë pjesë të projektit të ri te Real Madridi, nëse rikthimi i tij në kryeqytetin spanjoll konfirmohet zyrtarisht.

Ndërkohë, gjithçka mund të lidhet edhe me rizgjedhjen e Florentino Pérez, i cili ka shpallur së fundmi zgjedhjet e reja për presidencën e klubit madrilen./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale