Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar padi në Gjykatën Administrative kundër Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar anulimin e Vendimit Nr.10-V-276/1, të datës 27 prill 2026, lidhur me ndërprerjen para kohe të mandatit të Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Përmes kësaj padie, IKD kundërshton mënyrën se si Kuvendi ka ndërprerë mandatin e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, i cili sipas Ligjit Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës kishte mandat trevjeçar deri më 15 dhjetor 2026.
Në padi thuhet se vendimi i Kuvendit është i kundërligjshëm dhe arbitrar, pasi që përmes tij është shfuqizuar vendimi paraprak për emërimin e Komisionit dhe është zëvendësuar e tërë përbërja e tij pa asnjë bazë të qartë ligjore, pa procedurë të rregullt dhe pa arsyetim juridik.
Sipas IKD-së, Ligji për Provimin e Jurisprudencës i jep Kuvendit kompetencë vetëm për emërimin e anëtarëve të Komisionit, por nuk parasheh kompetencë për ndërprerjen e mandatit të tyre para kohe. Në padi theksohet se mungesa e dispozitave ligjore për shkarkim apo ndërprerje të mandatit nuk mund të interpretohet si autorizim për ndërhyrje arbitrare në mandatin e një organi të pavarur profesional, shkruian betimi për drejtësi.
Specifikisht, në padi ndër të tjera potencohet se “kompetenca për emërim nuk e përfshin automatikisht edhe kompetencën për ndërprerje të mandatit para kohe. Sikur ligjvënësi të kishte synuar t’i jepte Kuvendit të drejtën për shkarkimin apo zëvendësimin e përbërjes së Komisionit gjatë mandatit, këtë do ta kishte përcaktuar shprehimisht në ligj duke përcaktuar bazat, procedurën dhe standardet për ushtrimin e kësaj kompetence. Kjo qasje është ndjekur në legjislacionin që rregullon organe të tjera të pavarura”.
Po ashtu, IKD në padi ka theksuar se vendimi i kontestuar nuk përmban asnjë arsyetim lidhur me nevojën për ndërprerjen e mandatit të Komisionit ekzistues, nuk identifikon asnjë shkelje konkrete nga ana e anëtarëve të Komisionit dhe nuk jep asnjë shpjegim mbi bazën ligjore që ka shërbyer për zëvendësimin e tij para përfundimit të mandatit ligjor.
Në këtë drejtim, IKD konsideron se vendimi i Kuvendit është nxjerrë edhe në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, pasi mungon arsyetimi juridik dhe faktik i aktit administrativ, duke cenuar parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe pritshmërive legjitime.
Për më tepër, IKD në padi ka theksuar se kjo mënyrë e veprimit krijon precedent të rrezikshëm institucional, pasi nënkupton se mandatet e organeve profesionale të emëruara me ligj mund të ndërpriten në çdo kohë pa kritere të qarta ligjore dhe pa procedurë të rregullt.
IKD gjithashtu ka rikujtuar standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese në rastin KO127/21, lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, sipas të cilit mandatet e organeve të pavarura nuk mund të ndërpriten në mënyrë kolektive dhe pa arsyetim konkret individual.
Në padi, IKD ka vlerësuar se Provimi i Jurisprudencës paraqet mekanizëm me rëndësi të veçantë për sistemin e drejtësisë, pasi ndikon drejtpërdrejt në vlerësimin profesional të juristëve që synojnë ushtrimin e funksioneve kyçe në sistemin gjyqësor dhe juridik në Republikën e Kosovës. Për këtë arsye, sipas IKD-së, përbërja dhe funksionimi i Komisionit duhet të mbështeten në parimet e pavarësisë, stabilitetit institucional dhe ligjshmërisë.
Përmes kësaj padie, IKD i ka propozuar Gjykatës Administrative që ta aprovojë padinë si të bazuar dhe ta anulojë Vendimin Nr.10-V-276/1 të Kuvendit të Republikës së Kosovës si të kundërligjshëm.
Vrasja e të riut në Prishtinë, Prokuroria siguron pamjet nga...
Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ tregon rregulla...
Shisnin drogë pranë shkollave në Durrës, ekzekutohen masat e...
Vdes zyrtarja policore, Policia shpreh ngushëllime
Gjashtëmbëdhjetë nxënës të vrarë në zjarr në një shkollë në ...
Maran zbardh listën e Shqipërisë për miqësoret e qershorit