Kupa e Botës 2026 pritet të bëhet “biznesi” më i madh në historinë e futbollit

10:34 | 20 Maj 2026
D.H

FIFA po përgatitet për organizimin e Botërorit më të madh ndonjëherë, i cili do të zhvillohet në Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksikë. Sipas raportit “FIFA World Cup 2026 Socioeconomic Impact Analysis”, turneu pritet të sjellë përfitime ekonomike gjigante në nivel global.

Botërori i vitit 2026 do të ketë 48 kombëtare pjesëmarrëse, 104 ndeshje dhe do të zhvillohet në 16 qytete pritëse. Në stadiume pritet të jenë mbi 6.5 milionë tifozë, ku rreth 40% e tyre do të jenë vizitorë të huaj.

Sipas raportit, shpenzimet totale të lidhura me organizimin e turneut do të arrijnë në rreth 13.9 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e tyre, afro 7.5 miliardë dollarë ose 54% e totalit, do të vijë nga turizmi. Ndërkohë, rreth 3.8 miliardë dollarë do të jenë shpenzime direkte të FIFA-s, 1.8 miliardë për operimin e qyteteve pritëse dhe afër 1 miliard dollarë për investime kapitale.

Nga buxheti i FIFA-s, pjesa më e madhe do të shkojë për shërbimet ndaj kombëtareve pjesëmarrëse. Rreth 810 milionë dollarë do të përdoren për akomodim, transport, logjistikë dhe mbështetje teknike për ekipet.

Ndërkaq, operacionet e turneut do të kushtojnë mbi 1.1 miliard dollarë, ndërsa shpërblimet dhe fondet mbështetëse për ekipet do të arrijnë në mbi 1 miliard dollarë.

Raporti thekson se sektori i turizmit do të jetë përfituesi më i madh nga ky event. Hotelet në qytetet pritëse po përgatiten për nivele rekord të rezervimeve, ndërsa bizneset lokale pritet të përfitojnë ndjeshëm nga fluksi i madh i turistëve.

FIFA e sheh Botërorin edhe si një mundësi të madhe për promovimin e qyteteve organizatore si destinacione turistike globale, duke rritur dukshëm imazhin dhe atraktivitetin e tyre për vizitorët ndërkombëtarë.

Sipas analizës, ndikimi ekonomik global i Botërorit do të jetë gjigant. Prodhimi bruto ekonomik pritet të arrijë në mbi 80 miliardë dollarë në nivel botëror, ku vetëm SHBA-ja do të përfitojë mbi 30 miliardë dollarë.

Po ashtu, turneu pritet të kontribuojë me afro 41 miliardë dollarë në Prodhimin e Brendshëm Bruto global dhe të gjenerojë mbi 820 mijë vende pune me orar të plotë.

Në vendet organizatore, sektori i hotelerisë do të krijojë numrin më të madh të vendeve të punës, i ndjekur nga transporti ajror dhe aktivitetet teknike. Ndërsa në vendet e tjera, tregtia me shumicë dhe pakicë do të jetë sektori me ndikimin më të madh ekonomik.

Raporti vlerëson gjithashtu se Botërori 2026 do të ketë ndikim të rëndësishëm social dhe kulturor. Përfitimet nga turizmi, sporti dhe argëtimi llogariten në miliarda dollarë, ndërsa vlera sociale e eventit do të vazhdojë edhe për vite pas përfundimit të tij.

Sipas përllogaritjeve, kthimi social i investimit (SROI) do të jetë 3.64, që do të thotë se për çdo 1 dollar të investuar, shoqëria do të përfitojë rreth 3.64 dollarë në vlerë ekonomike dhe sociale./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale