Data 2 maj 2026 duhej të ishte një ditë krenarie për qytetin e Leicester – një përvjetor i mbushur me emocione dhe kujtime për triumfin e pabesueshëm në Premier League.
Një dekadë më parë, skuadra e drejtuar nga Claudio Ranieri mahniti botën, duke fituar titullin me kuotën e famshme 5000-1, me yje si Jamie Vardy, Riyad Mahrez dhe N’Golo Kanté.
Por sot, realiteti është krejt ndryshe.
Leicester ndodhet në prag të një rënieje dramatike në League One – nivelin e tretë të futbollit anglez – për herë të dytë në historinë e klubit.
Para ndeshjes vendimtare ndaj Hull City në “King Power Stadium”, “Dhelprat” janë tetë pikë larg zonës së shpëtimit, me vetëm tri ndeshje të mbetura.
Rënia e Leicester nisi pas sezonit 2022-23, kur skuadra u largua nga Premier League, vetëm dy vite pasi kishte fituar FA Cup nën drejtimin e Brendan Rodgers.
Pandemia goditi rëndë financat e pronarëve tajlandezë, King Power International Group, duke kufizuar investimet në skuadër. Rodgers kishte paralajmëruar mungesën e përforcimeve, por drejtuesit nuk reaguan në kohë.
Me lojtarë cilësorë si James Maddison, Youri Tielemans dhe Harvey Barnes, Leicester u konsiderua “shumë i fortë për të rënë”. Por realiteti ishte brutal: vetëm dy fitore në fund të sezonit dhe rënie nga elita me 34 pikë.
Emërimi i Enzo Maresca solli shpresë – ai e riktheu Leicester në Premier League si kampion i Championship. Por largimi i tij i menjëhershëm për te Chelsea hapi plagë të reja.
Pasuan vendime të dështuara: Steve Cooper dhe Ruud van Nistelrooy nuk arritën të stabilizojnë ekipin, duke çuar në një tjetër rënie, edicionin që lamë pas. Leicester në sezonin 2025/26 në Prermier League pati 25 pikë pas 38 xhirove e renditur në vendin e 18-të.
Në shkurt 2026, Leicester pësoi tjetër goditje në Championship, u ndëshkua me 6 pikë minus për shkelje të rregullave financiare (PSR), një goditje fatale për mbijetesën.
Pa këtë dënim, klubi do të ishte shumë më pranë shpëtimit.
Trajneri Martí Cifuentes dështoi të rikthejë harmoninë mes skuadrës dhe tifozëve, ndërsa pasardhësi i tij Gary Roëett po përballet me një situatë të pashpresë.
Humbjet e vazhdueshme dhe mungesa e përkushtimit kanë kthyer tifozët kundër skuadrës dhe drejtuesve. Incidentet pas humbjes ndaj Portsmouth tregojnë për një klub në krizë të thellë.
Ajo që dikur ishte historia më e bukur e futbollit modern, sot është kthyer në një shembull se si një klub mund të rrënohet brenda pak vitesh.
Leicester City – dikur kampion i Anglisë kundër çdo parashikimi – sot është në prag të një rënieje që do të ishte edhe më tronditëse se vetë titulli i vitit 2016. Një përrallë që përfundoi… në makth./Arbresh.info
Dënimet me burg të përjetshëm, Deliu: Drejtësia s’duhet të m...
Burg i përjetshëm për Naimin, flet babi i Liridonës: Deshti ...
Avokati i familjes Ademaj paralajmëron apelimin e dënimit të...
Flick dëshiron rinovimin me Barçën, ëndrra e tij ta fitojë L...
Vrasja e Liridona Ademajt: Burgim i përjetshëm për Murselin ...
Naimi në burg përjetë, flet vëllai i Liridonës: Shkon për fë...