Granit Xhaka flet për Botërorin: rutina, emocione dhe ambicie me Zvicrën

17:41 | 6 Qershor 2026
E H

Mesfushori i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur për mentalitetin dhe objektivat e tij në prag të pjesëmarrjes në Kupën e Botës, e cila pritet të jetë e katërta në karrierën e tij.

Ai ka zbuluar edhe disa detaje nga rutina e tij para ndeshjeve, duke thënë se ndjek një “ritual” personal, si veshja gjithmonë nga ana e djathtë e trupit para çdo takimi.

Xhaka tha se ende ndien emocione të forta para ndeshjeve, të cilat i përjeton si adrenalinë pozitive që e motivon në fushë.

“Përderisa e ndiej atë shpërthim, jam i lumtur. Sapo të zhduket, nuk do të jem më këtu”, është shprehur ai.

Duke folur për objektivat e Zvicrës, kapiteni theksoi se synimi kryesor është kalimi i fazës së grupeve, ndërsa nuk përjashtoi një ecuri më të madhe në turne.

“Më pëlqen të ëndërroj dhe ëndërroj shumë. Ne duam t’i bëjmë ëndrrat realitet”, tha Xhaka.

Ai gjithashtu hodhi poshtë idenë se ky mund të jetë Botërori i tij i fundit, duke theksuar se do të vazhdojë të luajë për aq kohë sa është në formë të mirë dhe i motivuar./telegrafi